(VIDEO) Mickoski: Tragjedia e Koçanit të shndërrohet në mësim

(VIDEO) Mickoski: Tragjedia e Koçanit të shndërrohet në mësim

Kryeministri Hristijan Mickoski ka hapur sot konferencën ndërkombëtare “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan – një vit më pas”, duke shënuar një vjetorin e tragjedisë. Mickoski në fjalimin e tija tha se, zjarri në Koçan nuk ishte tragjedi vetëm e një qyteti, por tragjedi që e tronditi të gjithë shtetin dhe që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën kolektive të shoqërisë sonë. Ai tha se, detyrimi i shtetit nuk është vetëm të kujtojë, por edhe të tregojë se di të mësojë nga tragjeditë dhe të ndërtojë një sistem që do të jetë më i fortë, më i sigurt dhe më human”.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

Sot jemi mbledhur këtu me një ndjesi të respektit të thellë, por edhe ndjesi të thellë të empatisë. Respekt për ata që humbën jetën. Respekt për familjet që mbajnë dhimbjen e humbjes. Respekt për të lënduarit që tashmë një vit po zhvillojnë një betejë të heshtur dhe të guximshme për shërim. Por njëkohësisht sot jemi mbledhur edhe me ndjesinë e përgjegjësisë. Përgjegjësi të mësojmë. Dhe përgjegjësi të krijojmë sisteme që do të jenë më të forta se gabimet që çojnë në tragjedi.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ayir Aliu nënvizoi se detyrimi më i madh ndaj viktimave dhe të lënduarve është të vazhdohet ndërtimi i një sistemi që mbron, reagon në kohë dhe siguron nivelin më të lartë të kujdesit për çdo qytetar, ndërsa kjo konferencë është një hap drejt një sistemi shëndetësor edhe më të fortë dhe më të qëndrueshëm.

Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë

Përvoja nga Koçani njëkohësisht hapi edhe nevojën për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të ekipeve tona mjekësore. Përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe trajnimeve jashtë vendit, duhet të vazhdojmë të forcojmë njohuritë dhe gatishmërinë për trajtimin e djegieve të rënda, aksidenteve masive dhe rehabilitimit afatgjatë”.

Zjarri në Koçan shpërtheu në orët e parë të 16 marsit të vitit 2025, si pasojë e të cilit humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan.

Në lëndën gjyqësore për këtë rast, të dyshuar janë 37 persona, nga të cilët 34 individë dhe tre persona juridikë. Në mesin e personave që po hetohen për përgjegjësi janë pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING