(VIDEO) Do të ndryshohen 8 ligje për mbrojtje më të fortë nga dhuna në familje
Institucionet në vend po përgatisin ndryshime urgjente ligjore për të përforcuar mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Për këtë qëllim pritet të ndryshohen gjithsej tetë ligje që lidhen me parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave. Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve u mbajt takimi i parë i grupit të punës që do të analizojë legjislacionin aktual dhe do të propozojë përmirësime.
Nga ministria informuan se Grupi i punës do të punojë për ndryshime dhe plotësime në disa ligje si: Ligji për autorizimet policore; Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje; Ligji për mbrojtje sociale; Ligji për drejtësinë për fëmijët; Ligji për ndihmë juridike falas; Ligji për procedurë penale; Ligji për procedurë civile dhe Ligji për pagesën e kompensimit monetar për viktimat e veprave penale me dhunë”.
MINISTRIA E POLITIKËS SOCIALE
“Qëllimi është të përmirësohet zbatimi praktik i ligjeve dhe të forcohen mekanizmat për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave”.
Në takimin e punës morën pjesë zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Velkovski dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ndërsa pjesë e grupit janë edhe përfaqësues nga disa institucione, organizata civile, gjykatat, prokuroria dhe komuniteti akademik. Në takim u konkludua që çdo institucion deri në mbledhjen e radhës të dorëzojë propozime konkrete për ndryshime ligjore, si dhe ndryshime në aktet nënligjore, rregulloret dhe protokollet, në përputhje me nevojat e konstatuara.
Takimi u mbajt pas vendimit të trupit kombëtar koordinues për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. /SHENJA/

