(VIDEO) Sindikatat nesër protestojnë, kërkojnë që minimalja të jetë 600 euro
Ndonëse Qeveria ka paralajmëruar rritje për pagën minimale për 1600 denarë nga muaji mars, nuk ka ndikuar aspak që Lidhja e Sindikatës të Maqedonisë së zbrapset nga kërkesa e tyre. Ata janë të prerë, duke kërkuar që rroga minimale të rritet në 600 euro dhe me nga 100 euro të rriten të gjitha pagat tjera. Ai paralajmëroi një protestë të re të madhe të punëtorëve për rritjen e pagave, duke u bërë thirrje të gjithë punëtorëve dhe qytetarëve të marrin pjesë në protestë.
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, sot ka mbajtur konferencë për media, nga ku njoftoi për një protestë të madhe, e cila do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 12:05, ndërsa pritet të marrin pjesë një numër e madh protestues nga të gjitha qytetet e vendit.
Trendafilov, u bëri thirrje të gjithë punëtorëve, të rinjëve dhe pensionistëve, që në numër sa më të madh, të vijnë nesër në Shkup dhe të luftojnë për pagën minimale.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Për pagat tuaja duhet të dilni dhe të luftoni bashkë me ne, sepse të tjerët nuk do ta bëjnë këtë. Ata mendojnë se po jua japin pagën që ju e fitoni vetë, por ju e fitoni atë me djersën dhe mundin tuaj. Ne konsiderojmë se harmonizimi prej vetëm 1.667 denarësh i pagës minimale është i pamjaftueshëm në kushtet në të cilat jetojmë, sepse kostot e jetesës po rriten çdo ditë”.
Trendafilov tha se punëtorët jetojnë si punëtor të varfur, por me shefa të pasur, dhe për këtë arsye ai bëri thirrje që të ofrojnë mbështje për siç tha, familjet e tyre, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre.
Marshimi për paga më të larta do të nisë nga selia e LSM-së, do të kalojë pranë Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë. Për shkak të kësaj proteste në Shkup do të mbyllen disa rrugë. MPB ka bërë thirrje që qytetarët të respektojnë urdhrat policore.
Samir Mustafa /SHENJA/

