(VIDEO) Grubi rikthen përplasjen mes LSDM-së dhe VMRO-së
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë vazhdon ta cilësojë si “teatër”, madje edhe “cirk”, rikthimin dhe dërgimin në arrest shtëpiak të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili u vetëdorëzua pas 14 muajsh në arrati.
Sipas opozitarëve, rikthimit të Grubit i ka paraprirë një marrëveshje politike mes VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
JON FRÇKOVSKI – LSDM
“Në temën, ikje nga përgjegjësia, teatrin që e përgatit dhe e organizon VMRO-ja gjatë këtyre ditëve po shndërrohet në cirk. Ose do ju përgjigjesha me retorikën e preferuar të kryeministrit, “këto janë sulme ad’hominem nga LSDM-ja”, derisa opinionI e dijnë se edhe de-jure po edhe de-fakto në këtë situatë ka marrëveshje politike mes VMRO-së dhe BDI-së”.
Nuk ka vonuar as reagimi i VMRO-DPMNE-së. Deputeti, Brane Petrushevski ka deklaruar se LSDM-ja ka qenë bashkëpunëtore e krimeve të Grubit, prandaj sot edhe e mbron fuqishëm.
Sipas Petrushevskit, LSDM-ja ka frikë nga vet emri, Artan Grubi.
BRANE PETRUSHEVSKI – DEPUTET VMRO-DPMNE
“Pasi dolën me teza të ndryshme, komunikata dhe konferenca për shtyp, nga LSDM-ja nuk parashtruan asnjë pyetje deputetësh për qeveritarët për Artan Grubin. Për më tepër, kanë edhe frikë kur përmendet emri Artan Grubi dhe prandaj edhe ikën nga salla e Kuvendit. Filipçe, Zaev, Spasovski, Zeçeviq dhe pjesa e mbetur e ish funksionarëve të LSDM-së, janë në panikë të madhe nga dëshmitë e mundshme të Grubit në Prokurori”
Kjo nuk është hera e parë që partitë maqedonase, VMRO-LSDM përplasen dhe hedhin akuza mbi njëra tjetrën për çështjen Grubi, së fundmi për këtë temë ka folur edhe kryeministri Hristian Mickoski i cili i ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë akuzat e LSDM-së për marrëveshje politike.
Mevludin Imeri /SHENJA/

