(VIDEO) Deputetët debatojnë për pakon e ligjeve që ulin pagat e funksionarëve

(VIDEO) Deputetët debatojnë për pakon e ligjeve që ulin pagat e funksionarëve

 Me zgjidhje e reja të propozuara parashikohet ndërhyrje në koeficientët e llogaritjes së pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar dhe kjo zgjidhje ligjore është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të apelohet në Gjykatën Kushtetuese, tha sot deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski gjatë elaborimit të pakos së ligjeve të propozuara për uljen e pagave të funksionarëve. Ai tha se, me miratimin e këtyre propozimeve, pagat do të barazohen, që do të thotë se pagat e të gjithë këtyre zyrtarëve që janë sipas këtyre gjashtë ligjeve do të ulen 10 deri në 13.000 denarë.

Bojan Stojanovski, Deputet i VMRO – DPMNE-së

Për deputetët dhe zyrtarët në degën ekzekutive, ulim koeficientët, gjë që redukton drejtpërdrejt barrën buxhetore. Për gjyqtarët dhe prokurorët publikë, parashikojmë përshtatjen e koeficientëve në mënyrë që pagat e tyre të jenë në korrelacion me mundësitë reale ekonomike të shtetit, ndërsa për kryetarët e komunave, propozojmë një shkallë të re të koeficientëve, varësisht nga numri i banorëve në komunë”.

Ndërkaq, deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku duke elaboruar propozim ndryshimet e ligjit të deputetëve, tha se, ndryshimet synojnë paga më proporcionale dhe shfrytëzim më i mirë i buxhetit.

Bekim Qoku, VLEN

Projektligji synon ndryshimin e koeficientëve për llogaritjen e pagave të deputetëve, me qëllim vendosjen e një rregullimi të drejtë, të qëndrueshëm dhe proporcional. Synimi është të parandalohet rritja e mëtejshme joproporcionale e pagave, transparencë më e madhe dhe shpërndarje më e drejtë e mjeteve buxhetore, në mënyrë që pagat e deputetëve të jenë në përputhje me realitetin ekonomik të vendit”.

Në lidhje me propozim ndryshimet e reja ka reaguar Shoqata e Prokurorëve Publikë, e cila ka kërkuar që Parlamenti të tërheqë nga seanca ndryshimet ligjore për pagat e prokurorëve. Nga kjo shoqatë kanë thënë se, prokurorët publikë kryejnë punë komplekse dhe të përgjegjshme dhe mbajnë barrën e ndjekjes penale, pa kushte të përshtatshme materiale dhe mbështetje të mjaftueshme profesionale. Në reagim më tej thuhet se, paga është e vetmja e ardhur e prokurorëve publikë dhe, siç thonë ata, është absolutisht më e ulëta në rajon dhe varion nga një minimum prej 90.000 deri në një maksimum prej 130.000 denarësh.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING