Zv/kryeministri libanez: Izraeli po pengon mbështetjen e huaj për ushtrinë libaneze

Zv/kryeministri libanez: Izraeli po pengon mbështetjen e huaj për ushtrinë libaneze

Zv/kryeministri libanez, Tarek Mitri, ka deklaruar Izraeli po pengon disa vende që t’i ofrojnë mbështetje ushtrisë libaneze, ndërsa kjo e fundit po dislokohet në pjesë të Libanit jugor në përputhje me një marrëveshje kornizë të mbështetur nga SHBA-ja dhe të nënshkruar në qershor mes Libanit dhe Izraelit, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

“Disa vende kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar ushtrinë libaneze ndërsa ajo hyn në zonat pilot në jug, por Izraeli po e kundërshton këtë”, tha Mitri.

“Zonat pilot” u referohen pjesëve të Libanit jugor ku po bëhen rregullime të sigurisë në përputhje me marrëveshjen kornizë, përfshirë tërheqjen e forcave izraelite për t’i hapur rrugë dislokimit të trupave libaneze.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, Mitri dënoi gjithashtu atë që e përshkroi si “kokëfortësi të qartë izraelite” lidhur me Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).

Sipas tij, Bejruti dëshiron që një organ ndërkombëtar të mbetet në Libanin jugor për të monitoruar zhvillimet atje.

“Izraeli nuk është i gatshëm të tregojë vullnet të mirë lidhur me negociatat dhe marrëveshjen kornizë”, tha ai.

Mandati i UNIFIL-it në Libanin jugor pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ndërsa tërheqja e plotë e tij pritet të përfundojë në vitin 2027.

Diskutimet për të ardhmen e misionit të forcës paqeruajtëse në vend vazhdojnë.

UNIFIL-i është i pranishëm në Libanin jugor që nga viti 1978, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Mandati i tij përfshin monitorimin e situatës së sigurisë dhe garantimin e stabilitetit në zonë.

Lidhur me përpjekjet e Bejrutit për të forcuar autoritetin e institucioneve shtetërore, Mitri tha se vendimi i qeverisë për të konsoliduar rolin e shtetit është “një vendim nga i cili nuk do të tërhiqet”.

Ai gjithashtu tha se Bejruti nuk dëshiron t’i zbatojë vendimet e tij me forcë në një mënyrë që kërcënon unitetin kombëtar.

Komentet e tij vijnë derisa Libani dhe Izraeli po përpiqen të zbatojnë marrëveshjen kornizë të qershorit, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori libanez dhe dislokimin e ushtrisë libaneze në zonat e liruara.

Marrëveshja parashikon gjithashtu çarmatimin e grupeve të armatosura, duke iu referuar Hezbollahut.

Pavarësisht marrëveshjes, Izraeli ka vazhduar sulmet e pandërprera në disa pjesë të Libanit jugor, të cilat sipas Bejrutit, po pengojnë dislokimet e planifikuara të ushtrisë.

Që nga 2 marsi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, sulmet e gjera izraelite kanë vrarë 4.348 persona dhe kanë plagosur më shumë se 12.000 të tjerë.

Forcat izraelite vazhdojnë të jenë të pranishme në disa pjesë të Libanit jugor, disa prej të cilave i kanë pushtuar prej dekadash.

Zona të tjera u pushtuan gjatë një raundi të mëparshëm luftimesh, në vitet 2023 dhe 2024, kur forcat izraelite përparuan më shumë se 10 kilometra brenda territorit sovran libanez.

MARKETING