(VIDEO) Fillon fushata zgjedhore, kandidatët nisën me aktivitetet
Nga mbrëmë në mesnatë ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet e përsëritura në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë.
Në Komunën e Gostivarit, gara për kryetar komune zhvillohet mes dy kandidatëve që vijnë nga dy blloqet politike shqiptare, përkatësisht Valbon Limani nga koalicioni AKI dhe Nevzat Bejta nga koalicioni VLEN. Limani kandidon për herë të dytë, pasi edhe në zgjedhjet e 19 tetorit, doli i pari me numrin e votave të fiituara. Ai ka njoftuar përmes rrjetit social Facebook se sot hap zyrtarisht fushatën në Pallatin e Kulturës në Gostivar, duke theksuar se, ky moment shënon nisjen e “rrugëtimit drejt Fitores së Madhe”.
Bejta, synon të kthehet përsëri në pozitën e kryetarit të komunës, pas 8 vite pauzë. Gjatë shpalljes së kandidaturës së tij, ai tha se, kandidatura e tij ka qenë kërkesë e qytetarëve dhe nuk bëhet fjalë për hakmarrje politike. Ai tha se, vjen për realizimin e projekteve të reja për qytetin.
Sa i përket Komunës së Vrapçishtit, në garë është kandidati i koalicionit AKI, Isen Shabani dhe një kandidat i pavarur, Zulhajrat Demiri i cili mbështetet nga VLEN-i dhe Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës.
Demiri ka realizuar sot një takim me të rinjtë, me çrast ka vlerësuar lart rolin e të rinjve në rrugëtimin e tij politik, duke theksuar se, energjia, idetë dhe shpresa që përcollën të rinjtë dëshmojnë gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë aktive e ndryshimit.
Ndësa, në komunëne e Vrapçishtit do të hapet shtabi zgjedhor komunal i AKI-së në fshatin Negotinë ku do të prezantohet kandidati i këtij koalicioni Isen Shabani. Në këtë takim do të jenë prezent edhe dy liderët e koaliconit të AKI-së, Ali Ahmeti dhe Arben Taravari.
Zgjedhjet në këto katër komuna do të përsëriten pasi në zgjedhjet e 19 tetorit, nuk u arrit censusi prej 33%, i përcaktuar sipas Kodit Zgjedhor.
Teuta Buçi /SHENJA/

