(VIDEO) Maqedonia e treta në Evropë për vrasjet e grave nga partnerët e tyre

(VIDEO) Maqedonia e treta në Evropë për vrasjet e grave nga partnerët e tyre

Maqedonia u rendit në vendin e tretë në Europë sipas shkallës së vrasjeve të grave të kryera nga partneri ose një anëtar i familjes, tregojnë të dhënat më të fundit të Eurostat-it për vitin 2023. Sipas të dhënave, në Maqedoninë e Veriut janë vrarë gjashtë gra për një milion banorë, çka e vendos vendin menjëherë pas Letonisë dhe Lituanisë. Letonia shënon shkallën më të lartë në Bashkimin Evropian me rreth 17 gra të vrara për një milion banorë, ndërsa Lituania renditet e dyta me 10 gra për një milion banorë.

Mesatarja në Bashkimin Evropian është 4,1 gra të vrara për një milion banorë, që është dukshëm më e ulët se shkalla e regjistruar në RMV.  Sipas Eurostat-it, gratë në BE vriten pothuajse dy herë më shpesh se burrat kur autori është partneri ose një anëtar i familjes.

Shkallët më të ulëta në Bashkimin Evropian, me përjashtim të Maltës ku nuk wshtw regjistruar asnjw vrasje, janë regjistruar në Greqi, Spanjë dhe Holandë. Në Greqi shkalla është 1,8 gra për një milion banorë, në Spanjë 2, ndërsa në Holandë 2,3.

Të dhënat tregojnë se gjatë dekadës së fundit numri i këtyre vrasjeve në BE ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, me nivelin më të lartë në vitin 2022, kur u vranë 4,4 gra për një milion banorë.

Në nivel global, sipas Kombeve të Bashkuara, Afrika është kontinenti me shkallën më të lartë të femicidit – 30 gra për një milion banorë – si dhe me numrin më të madh absolut të viktimave, me rreth 22.600 gra të vrara në vitin 2024.

Kombet e Bashkuara theksojnë se 60 për qind e autorëve të femicidit në vitin 2024 kanë qenë partnerë intimë ose anëtarë të familjes. /SHENJA/

MARKETING