(VIDEO) Ndalohet importi i mbi 22 tonëve kivi nga Serbia, kishin larva dhe insekte
Importi i mbi 22 tonëve kivi nga Serbia u ndalua të shtunën pasi inspektorët zbuluan praninë e insekteve të dëmshme dhe larvave në dërgesë, njoftuan autoritetet kompetente për sigurinë ushqimore.
Shërbimet e kontrollit bllokuan frutat e kivit në pikën kufitare për shkak të dyshimeve se nuk i përmbushin standardet fitosanitare. Gjatë kontrollit inspektues të mallit, inspektorët identifikuan praninë e larvave dhe insekteve të tjera, çka cënon statusin shëndetësor dhe të sigurisë së frutave të importuara.
AUV
“Bëhet fjalë për 22.340 kilogramë kivi, import nga Serbia, për të cilin, pas kontrollit organoleptik nga ana e inspektorit të ushqimit, është konstatuar se nuk është i sigurt për import dhe për përpunim të mëtejshëm”.
Autoritetet bënë të ditur se ky zbulim përbën rrezik për shëndetin e bimëve dhe potencialisht mund të çojë në përhapjen e agjentëve të dëmshëm në vend, për këtë arsye u morën menjëherë masa ligjore për ndalimin e importit dhe vulosjen e dërgesës problematike.
Dërgesa me kivi do të mbetet nën kontrollin e shërbimeve inspektuese derisa të përcaktohet natyra e saktë e ndotësve dhe derisa të ndërmerren masat përkatëse për përballimin e tyre. Po ashtu, paralajmërohet forcim i kontrollit inspektues edhe për produkte të tjera të importuara të të njëjtit lloj, derisa të sigurohet shpërndarja e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm në treg.
Inspektimet fitosanitare kontrollojnë rregullisht produktet bujqësore të importuara me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe parandalimin e futjes së insekteve, sëmundjeve ose dëmtuesve që mund të dëmtojnë prodhimin vendas. /SHENJA/

