(VIDEO) Florim Jaja do të udhëheqë me informatat e klasifikuara

(VIDEO) Florim Jaja do të udhëheqë me informatat e klasifikuara

Rikonstruimi i Qeverisë po hyn në fazën e parë dhe përveç ndryshimeve ministrore, ky operacion përfshin edhe emërime të reja në eshallonin e tretë të Qeverisë.

Zëvendëssekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, ka bërë të ditur se Drejtoria për Siguri të Informatave të Klasifikuara për herë të parë do të udhëhiqet nga një kuadër shqiptar. Florim Jaja është emëruar drejtor i ri, duke zëvendësuar Stojan Sllaveskin.

Murtezani e ka cilësuar këtë emërim si historik.

HASIM MURTEZANI, ZV/SEKRETAR I QEVERISË

HISTORIKE! Drejtoria për Siguri të Informatave të Klasifikuara – Për herë të parë do udhëhiqet nga kuadër shqiptar!Urime, Florim Jaja”.

Ndryshime ka edhe në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Imer Aliu nga PDSH-ja është shkarkuar dhe në vend të tij, Qeveria ka vendosur që këtë post t’ia besojë Nakil Fetait. E pas emërimit, Fetai ka deklaruar se do ta ushtrojë funksionin me ndershmëri, profesionalizëm dhe transparencë, në mbrojtje të privatësisë së qytetarëve.

NAKIL FETAI, DREJTOR I AGJENCISË PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE

Ky besim është një obligim i madh për të punuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe transparencë, në mbrojtje të privatësisë dhe të drejtave të qytetarëve. Me përgjegjësi të plotë dhe përkushtim pranoj detyrën si Drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Këto janë vetëm hapat e parë të rikonstruimit. Më 24 dhjetor pritet shkarkimi i Orhan Murtezanit dhe emërimi i Bekim Salit si zëvendëskryeministër dhe ministër i Eurointegrimeve, si dhe i Muhamed Hoxhës si ministër i Ambientit.

Në vijim, Qeveria pritet të emërojë edhe drejtorë të tjerë, në pozitat e liruara nga ish-drejtues që tashmë janë zgjedhur kryetarë komunash.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING