(VIDEO) Aggeler: Është normale që të zhvillohen bisedime për migrantët

(VIDEO) Aggeler: Është normale që të zhvillohen bisedime për migrantët

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, ka deklaruar se migracioni është një çështje e madhe dhe komplekse në shumë shtete, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se është normale që për këtë temë të zhvillohen bisedime me vendet aleate. Aggeler në një intervistë për Sitel, tha se nuk është e dobishme dhe as produktive që migracioni të shfrytëzohet për qëllime politike apo për të fituar pikë politike, duke komentuar deklaratat e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili e hapi temën duke e paraqitur atë si një çështje të madhe sigurie dhe politike.

ANGELA AGGELER, AMBASADORE E SHBA-SË

Edhe ne zhvillojmë bisedime të tilla me shumë shtete. Kjo është normale. Pra, vetë ekzistenca e një bisede nuk do të thotë se do të ketë politika të tilla. Sigurisht, nuk mund të flas për bisedimet që ka zhvilluar Mbretëria e Bashkuar. Por supozoj se edhe ata, ashtu si ne, zhvillojnë bisedime me lloj-lloj shtetesh. Kjo është një temë me të cilën përballen shtetet. Dhe prandaj, sigurisht, bisedoni me miqtë, aleatët dhe partnerët se si do ta përballojmë këtë së bashku”.

Ambasadorja ka folur edhe për situatën në gjyqësor. Ajo përkujtoi se SHBA-ja ka investuar mjete të rëndësishme në mbështetje të shtetit, duke përfshirë edhe gjyqësorin që nga pavarësia e këtej, por vlerësoi se gjendja në sistemin gjyqësor është më e keqe se më parë, që qartë reflekton në besimin e ulët të qytetarëve.

ANGELA AGGELER, AMBASADORE E SHBA-SË

Dhe sinqerisht, situata në gjyqësor është më e keqe se kur isha këtu herën e parë. Dhe kjo reflektohet në besimin e qytetarëve kur flasin për gjyqësorin. Dhe është shumë e lehtë për njërën ose tjetrën palë të thotë se është faji i gjykatësve, se është faji i prokurorëve, se është faji i çdo ministrie. Por fakti është se përgjegjësia e Qeverisë është të shikojë me kujdes atë që po ndodh dhe të bëjë ndryshime aty ku duhen bërë”.

Megjithatë, Aggeler thotë se në Qeveri dhe në gjyqësor ekzistojnë njerëz të cilët janë sinqerisht të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe shfaqi shpresë se atyre përpjekjeve do t’iu bashkëngjiten edhe më shumë individë, sepse, siç theksoi, ajo është gjëja e drejtë dhe e nevojshme që duhet të bëhet.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING