(VIDEO) Platformë e re për ndjekjen e projekteve të financuara nga Qeveria
Kryeministri, Hristijan Mickoski, sot ka promovuar Platformën e re për ndjekjen e projekteve të financuara nga Qeveria, duke vlerësuar se kjo vegël paraqet një hap përpara në kulturën politike, menaxhimin modern dhe transparencën.
Mickoski theksoi se platforma u mundëson çdo qytetari, komune, gazetari dhe përfaqësuesi të sektorit civil që në kohë reale ta ndjekë rrjedhën e projekteve të financuara nga Qeveria. Sipas tij, me këtë vendoset një kornizë e re besimi në të cilën publiku ka qasje të drejtpërdrejtë në shpenzimin e mjeteve publike. Ai theksoi se transparenca është rregull thelbësor demokratik dhe përgjigje ndaj dezinformatave, duke vlerësuar se platforma është një mesazh politik se Qeveria punon ndershëm dhe në interes të qytetarëve. Mickoski potencoi se mediat marrin një vegël të fuqishme për ndjekjen e çdo faze të realizimit të projekteve.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Asnjë projekt më nuk është diku atje, i fshehur në labirintet institucionale. Tani është publik, i dukshëm dhe i verifikueshëm”.
Kryeministri i prezantoi edhe rezultatet nga thirrjet publike për financim.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Përmes thirrjes së parë janë përfshirë 288 projekte me vlerë prej pothuajse 4.6 miliardë denarësh. Të gjitha projektet janë nisur, për të gjitha janë nënshkruar marrëveshje, 193 janë përfunduar, 26 janë në fazë përfundimtare dhe 89 janë në realizim aktiv, ndërsa për gjashtë projekte të tjera procedura e tenderimit ka përfunduar.
Ai theksoi se projektet përfshijnë infrastrukturën, mjedisin jetësor, sportin, kulturën dhe arsimin, duke shtuar se kjo nënkupton shërbime më të mira dhe cilësi më të mirë të jetës.
I pari i qeverisë u ndal edhe te thirrja e dytë publike e financuar përmes kredisë hungareze, në të cilën janë përfshirë 828 projekte me vlerë prej 13.8 miliardë denarësh. Sipas tij, mbi 50 prej tyre janë përfunduar ose janë në fazë përfundimtare, ndërsa për më shumë se 500 janë nënshkruar marrëveshje.
Samir Mustafa /SHENJA/

