Çuçul merr detyrën si kryetari i KSHPK-së: Do të kërkojmë integritet dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet

Çuçul merr detyrën si kryetari i KSHPK-së: Do të kërkojmë integritet dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet

Kryetari i ri i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Adem Çuçul, sot dha betimin solemn para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Ai njoftoi se së bashku me ekipin e tij do të kërkojnë integritet, përgjegjësi dhe transparencë nga të gjitha institucionet.

“Për mua kjo është mbi të gjitha një nder të jem kryetar i institucioni nga i cili jam rritur si profesionist. Njëkohësisht, është një përgjegjësi e madhe, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet si Komisioni, ashtu edhe shteti në fushën e luftës kundër korrupsionit. Si kryetar i KSHPK-së do të përpiqem për punë transparente të institucionit, dhe si ekip do të kërkojmë përgjegjësi dhe transparencë nga të gjitha institucionet. Ne promovojmë integritetin dhe do të punojmë që ai të jetë i pranishëm në të gjitha institucionet. Vetëm kështu, me integritet institucional dhe personal të funksionarëve publikë, do të kontribuojmë për një shoqëri më të mirë dhe për uljen e korrupsionit”, tha Çuçul.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për prioritetet e KSHPK-së, ai theksoi se përballen me shumë sfida.
“Vlerësimet e Komisionit Evropian janë ashtu siç janë. Si kryetar, do të përpiqem t’i përmirësojmë këto vlerësime. Do të duhet shumë punë. Në intervistën time në Kuvend, deklarova se do të punojmë për digjitalizimin dhe për mjetet preventive. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së Strategjisë së re Kombëtare, e cila po zhvillohet në një proces gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara në vend. Si mjet preventiv, shpresoj se do të jetë shumë më i qartë dhe i zbatueshëm se strategjia e mëparshme. Me këtë mekanizëm do të kontribuojmë për të eliminuar dobësitë sistemike që gjenerojnë korrupsion. Gjithashtu, si kryetar, shpresoj të kem mbështetjen e të gjithë Komisionit për të rritur proaktivitetin në kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar, pasi kjo ishte një nga gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian dhe është rekomandimi i gjashtë i GRECO-s”, tha Çuçul.

Adem Çuçul u zgjodh njëzëri për kryetar të KSHPK-së në seancën e djeshme të Kuvendit, ku mori 82 vota.

MARKETING