Mickoski: Mbi 6.000 aplikime janë pranuar për masën e vetëpunësimit

Mickoski: Mbi 6.000 aplikime janë pranuar për masën e vetëpunësimit

Sot është një ditë e rëndësishme dhe një hap i rëndësishëm për përfituesit e masës për vetëpunësim, për t’u bërë të pavarur, për të marrë të ardhmen në duart e tyre dhe për të nisur biznesin e tyre.
Si Qeveri, ne besojmë fort se ekonomia rritet kur qytetarët kanë mbështetje për të krijuar, për të inovuar dhe për t’u bërë sipërmarrës, prandaj masa për vetëpunësim, si pjesë e Planit Operativ, është një nga programet më tërheqëse dhe më të suksesshme në vend.

Këtë vit kemi interesin më të madh deri tani – janë dorëzuar gjithsej pak më shumë se 6.000 aplikime, gjë që është një tregues i fuqishëm se qytetarët kanë dëshirë, njohuri dhe vetëbesim për të ndërtuar biznesin e tyre të vet, ndërsa shteti qëndron pas tyre me mbështetje konkrete dhe financiare rekord. Deri tani janë lëshuar 2.916 vauçerë për hartimin e planit të biznesit, ndërsa janë vlerësuar 2.681 aplikime, prej të cilave 1.140 janë për të rinjtë deri në 29 vjeç, 912 për persona mbi 29 vjeç, dhe 629 për persona juridikë të regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

Aktualisht, 2.545 persona janë tashmë në procesin e nënshkrimit të kontratave për grant, pas të cilave do të pasojë një trajnim dy-ditor që do t’i ndihmojë ata të fillojnë më sigurt në rrugët e sipërmarrjes.
Nga gjithsej 6.045 aplikime, 3.296 janë nga të rinj nën 29 vjeç, gjë që është veçanërisht inkurajuese.
Mbështetja financiare është rritur ndjeshëm: 7.000 euro për persona mbi 29 vjeç, ose 14.000 euro nëse bashkohen në një SHPK, dhe 10.000 euro për të rinj deri në 29 vjeç, ose 20.000 euro nëse bashkohen në SHPK. Këto nuk janë vetëm numra – këto janë biznese të reja që do të hapin punëtori artizanale, startupe IT, shërbime, firma të vogla prodhuese, dhe do të krijojnë mundësi të reja për zhvillim dhe përforcim të ekonomisë në tërësi.

Masa për vetëpunësim është pjesë e Planit Operativ për vitin 2025, i cili peshon mbi 2,5 miliardë denarë ose 40 milion euro, që është 7,5 milion euro më shumë se vitin e kaluar dhe përfaqëson një shumë rekord të mbështetjes. Me këtë plan, në vitin 2025 do të përfshihen 16.507 persona – përfshirja më e madhe deri tani, që është një dëshmi e qartë se shteti investon në forcën më të madhe që ka – qytetarët.

Për shkak të interesit të madh, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, së bashku me Agjencinë për Punësim, propozuan një rishikim të Planit, ku u rishpërndanë 300 milion denarë shtesë. Me këtë, u shtuan edhe 161 milion denarë të siguruara përmes ribalancit të Buxhetit, me vetëm një qëllim: asnjë sipërmarrës i mundshëm të mos mbetet pa shans.

Kjo masë është njëkohësisht edhe një instrument i fuqishëm në luftën strategjike kundër papunësisë. Në vend të masave pasive dhe pritjes së rrethanave të favorshme, ne po ndryshojmë filozofinë – nga një shtet që vetëm ofron mbështetje sociale, po shëndrrohemi në një shtet që krijon mundësi, inkurajon përparimin personal, nxit guximin dhe u jep njerëzve mjete për t’u bërë të pavarur.
Vetëpunësimi krijon vende pune atje ku nuk ka fabrika të mëdha, hap perspektiva në zonat rurale, aktivizon të rinjtë, fuqizon gratë sipërmarrëse dhe u mundëson të gjithëve me një ide të mirë ta kthejnë atë në një histori suksesi ekonomik.

Sot nuk nënshkruajmë vetëm kontrata – sot nënshkruajmë energji të re në ekonomi, vende të reja pune, histori të reja suksesi. Sipërmarrësit janë motorët e zhvillimit ekonomik, dhe detyra jonë si Qeveri është t’u hapim dyert, t’u japim mbështetje dhe të krijojmë një mjedis ekonomik të drejtë, të qëndrueshëm dhe motivues.

Përgëzime për guximin, uroj suksese dhe garantoj– shteti qëndron pas çdo hapi që bëjnë sipërmarrësit.

MARKETING