Kallas kundër pezullimit të sanksioneve ndaj Moskës: Nuk është koha për të lehtësuar presionin ndaj Rusisë
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka paralajmëruar kundër pezullimit të sanksioneve ndaj Rusisë, duke theksuar se “nuk është koha” për të lehtësuar presionin pas një marrëveshjeje të fundit për naftën dizel mes SHBA-së dhe Rusisë.
“Pezullimi i sanksioneve ndaj naftës ruse dizel i siguron Moskës më shumë të ardhura për të zhvilluar luftën. Nuk është koha për të lehtësuar presionin ndaj Rusisë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, shkroi Kallas në rrejtin social amderikan X.
Ajo tha gjithashtu se ministrat e jashtëm të BE-së pritet të miratojnë të hënën “paketën më të madhe të listimeve të sanksioneve” kundër Rusisë.
Dje, presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, biseduan në telefon. Trump e përshkroi bisedën si një “diskutim shumë të suksesshëm”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se bisedimet rezultuan në një marrëveshje që Rusia të furnizojë “menjëherë” tregjet amerikane dhe globale me më shumë se 300.000 tonë naftë dizel.
Ai tha se në nëntor do të furnizohen edhe 500.000 tonë të tjera, të ndjekura nga 1 milion ton dhe 3 milionë tonë shtesë “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse të naftës dizel.
Putin tha se furnizimi i tregjeve amerikane dhe globale me naftë dizel nga Rusia do të ishte në dobi të ekonomisë botërore. Ai shtoi se të dy liderët diskutuan sektorin global të energjisë, perspektivat për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, situatën në Iran dhe marrëdhëniet dypalëshe.

