(VIDEO) BDI thotë se Sela do të veprojë si opozitë, VLEN vlerëson se është dështim
Një vit më parë, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela mes shumë kundërshtish vendosën t’i lënë anash hatërmbetjet politike dhe t’i shtrijnë dorën e bashkëpunimit njëri-tjetrit për të krijuar Frontin Europian, koalicion me të cilin BDI dhe ASH garuan në zgjedhjet parlamentare.
Pjesë e këtij koalicioni veç ASH-së ishte edhe PDSH-ja e Thaçit dhe disa parti të tjera. Këtë bashkim, i pari e braktisi PDSH-ja e cila nuk mori pjesë në zgjedhje lokale dhe PDE e Arjanit Hoxhës, por para lokaleve, Fronti i dikurshëm, u shndërrua në Aleancë Kombëtare për Integrim dhe të njëjtës ju bashkua edhe ASH-ja e Taravarit, e cila u nda, në kohën kur Sela u bashkua me Ahmetin në Front.
Me të kaluar zgjedhjet lokale, i pari që ndoqi rrugën e largimit nga Aleanca Kombëtare ishte Ziadin Sela dhe ASH-ja të cilët mbrëmë kumtuan se do të vazhdojnë rrugën si subjekt autonom dhe pa koalicion.
Ndërkaq, Blerim Bexheti deputet i BDI-së tha se do të vazhdojnë normalisht komunikimin me ASH-në e cila sipas Bexhetit ndonëse është larguar nga koalicioni, do të vazhdojë të veprojë si opozitë.
BLERIM BEXHETI, DEPUTET BDI
“Ne kemi pasë dhe kemi një bashkëpunim dhe komunikim të shkëlqyeshëm ata dëshirojnë dhe kanë vendosur ti kthehen vetëvetes gjë të cilën e përshëndesim dhe përkrahim që bashkarisht të gjitha subjektet opozitare të gjitha këto zhvillime që ndodhin në shtet që bashkarisht ta rikthejmë situatën në normalitet”
Largimin e ASH-së nga AKI e kanë komentuar edhe oponenca politike. Koalicioni VLEN e cilëson si krizë dhe mungesë të kohezionit dhe dështim për të ndërtuar një ofertë politike të qëndrueshme.
VLEN
“Moskordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët. VLEN mbetet forca e vetme e konsoliduar, me program, me vizion dhe me strukturë të qartë shtetndërtuese.
Përveç VLEN-it, largimin e Selës nga AKI e ka komentuar Arben Fetai – tani zv.kryeministër, dikur anëtar i revoltuar dhe i pakënaqur që ASH-ja bashkëpunon me BDI-në. Këtë veprim të Selës, Fetai e ka quajtur akrobacion që tashmë nuk përbën interes. Sipas Fetait, kjo që po shohim është thjesht kapitulli i fundit i një rruge të nisur mbrapsht që në fillim.
Mevludin Imeri /SHENJA/

