(VIDEO) Petrovska: Mungesa e debatit për zgjedhjet e kaluara çoi në humbjen e tanishme
“Shumë arsye çuan në humbjen e LSDM-së në zgjedhjet lokale, e cila, për fat të keq, është më e madhja në historinë e ekzistencës së LSDM-së”. Kështu u shpreh deputetja Sllavjanka Petrovska në intervistën për Radion Evropa e Lirë. Ajo thotë se situata nuk duhet të injorohet, as të lihet në dorë të fatit, dhe shton se mungesa e debatit rreth rezultateve të zgjedhjeve të mëparshme kontribuoi në humbjen aktuale.
Slavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së
“Nëse do ta pyesja veten dhe do t’i përgjigjesha pyetjes suaj, do të thoja se na duhen disa orë transmetim për të renditur të gjitha arsyet. Megjithatë, me një fjali do të thoja se mospërgjigja e pyetjeve se pse pësuam humbje vitin e kaluar, dhe nëse doni të kthehemi te ciklet e zgjedhjeve lokale në vitin 2021, dhe rezultati, i cili megjithëse ishte i favorshëm në vitin 2020, mbi bazën e të cilit formuam një qeveri atëherë, përsëri nuk ishte i kënaqshëm sipas mendimit tim”.
Ajo ka një koment edhe për udhëheqësin e partisë. Sipas saj, kreu aktual i partisë, Venko Filipçe, ka një detyrë dhe sfidë serioze për të gjetur një mënyrë që LSDM të dalë nga kjo situatë.
Slavjanka Petrovska, deputete e LSDM-së
“Një parti si LSDM, edhe kur ishim në opozitë, është absolutisht e nevojshme për Maqedoninë për hir të qytetarëve. Dhe që të mos lejojmë që të përsëriten disa skenarë nga e kaluara e afërt, kur na u deshën vite për t’u liruar nga një regjim. Në çdo vend, veçanërisht në një mjedis të tillë, opozita është e nevojshme për qytetarët dhe për shtetin, kështu që kryetari do të duhet të ofrojë, siç thashë, një program, një platformë ose çfarëdo që të quhet ai propozim”.
E pyetur nëse edhe pas këtij rezultati zgjedhor Filipçe duhet të vazhdoj të jetë kryetar i LSDM-së, Petrovska dha një përgjigje prej politikaneje, tha se funksionimi i partisë nuk lidhet vetëm me një njeri, por u shpreh se është shumë me rëndësi që pas kësaj humbje, LSDM të dalë me një ekip njerëzish që do të dinë ta kthejnë partinë në rrugën e fitores.
Përndryshe, kreu i partisë Venko Filipçe pas rezultateve të dobëta zgjedhore kur u pyet për dorëheqjen e tij, ai u përgjigj se nuk e ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë, pasi tha se ai në krye të partisë është për një kohë të shkurt.
Emine Ismaili /SHENJA/

