Laporta komenton marrëdhënien me Real Madridin: Asnjëherë nuk ishim të martuar, divorci është i pamundur
Barcelona dhe Real Madridi vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara, sipas presidentit të blaugranave, Joan Laporta.
Në një intervistë për Catalunya Radio, Laporta foli hapur për raportet me klubin rival dhe situatën e fundit ligjore që përfshin klubin e tij.
“Ne nuk kemi qenë kurrë të martuar, kështu që divorci është i pamundur. Marrëdhëniet nuk janë shumë të mira për shkak të përfshirjes së tyre në çështjen Negreira; ata po paraqesin fakte të parëndësishme dhe të pabindshme. Hapja e çështjes ka zgjuar interesin e tyre. Nuk na pëlqen kjo dhe situata është e tensionuar. Jemi rivalë të përjetshëm dhe gjithmonë i trajtojmë njëri-tjetrin me respekt”, ka thënë Laporta.
Ai gjithashtu iu referua ndeshjes së planifikuar në Miami kundër Villarrealit.
“Nuk do të doja të hapja temën e ndeshjes në Miami. Që në fillim kemi hasur kundërshtim nga Shoqata e Futbollistëve Spanjollë dhe nga klube të tjera. Nuk mendoj se kjo ndeshje do të kishte ndikim në rezultatin e La Ligës”.
Kujtojmë se në vitin 2023, Barcelona dhe drejtuesit e saj u akuzuan për pagesa të dyshuara ndaj ish-zëvendës presidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave (CTA), Jose Maria Enriquez Negreira, që punonte për Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF).
Gjykata vlerësoi si të paligjshme pagesat prej disa milion eurosh nga Barcelona drejt Negreiras midis viteve 2001 dhe 2018.
Në seancat e fundit të gjykimit kanë dëshmuar figura të njohura, përfshirë djalin e Negreiras, Javier Enriquez, dhe ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rosell dhe Josep Bartomeu.

