Zbulohen detaje të reja nga vizita e Leo Messit në Barcelonë – legjenda argjentinase shoqërohej nga një bashkëlojtar i veçantë
Legjenda argjentinase Lionel Messi ka befasuar shumë tifozë me një vizitë të papritur në Camp Nou, të dielën më 9 nëntor 2025.
Në një ditë kur Barcelona ishte në udhëtim për t’u përballur me Celta Vigon në La Liga, Messi u shfaq në qytetin katalanas për një arsye të veçantë — për të parë nga afër ecurinë e punimeve në stadiumin që për vite me radhë e quajti “shtëpi”.
Sipas gazetës Sport, Messi fluturoi nga Miami drejt Barcelonës pasditen e së dielës me avionin e tij privat. Ai vendosi të qëndronte në një hotel pranë “Camp Nou”, në vend se të rikthehej në rezidencën e tij private.
Në këtë udhëtim sentimental, Messi shoqërohej nga miku i tij i ngushtë dhe bashkëlojtar në kombëtaren e Argjentinës, Rodrigo De Paul.
Dyshja darkoi së bashku në një restorant pranë stadiumit dhe më pas vizitoi ambientet e Camp Nout, ku Messi pa nga afër përparimin e rikonstruksionit dhe realizoi disa fotografi për kujtim.
Pas vizitës, ata kaluan disa orë pushim në hotelin e tyre përpara se të niseshin me avion për t’iu bashkuar kombëtares argjentinase, e cila po përgatitet për ndeshjet ndërkombëtare të nëntorit 2025.
Legjenda e FC Barcelonës i habiti shumë duke u shfaqur në Camp Nou edhe gjatë një kohe kur po zhvilloheshin punime ndërtimi. Ai u lejua të hynte në fushën e stadiumit të sapo ndërtuar.
Gjithashtu rezulton se disa tifozë me fat arritën ta takonin Messin ndërsa ai vizitonte stadiumin.Kthimi i Messit në Barcelonë ngjalli emocione të mëdha te tifozët, të cilët vazhdojnë ta konsiderojnë atë si simbolin më të madh në historinë e klubit “blaugrana”.

