(VIDEO) Nikollovski: Pezullohen fondet evropiane për bujqësi

(VIDEO) Nikollovski: Pezullohen fondet evropiane për bujqësi

Ish-ministri i Bujqësisë dhe njëherësh nënkryetar i partisë opozitare maqedonase LSDM, Ljupço Nikollovski, sot në konferencë për shtyp th se programi IPARD 3 është pezulluar. Sipas tij, vendimi është marrë të premten pasdite nga koordinatori kombëtar për autorizime. Pezullimi  që hyn në fuqi menjëherë dhe pa afat të caktuar, nënkupton ndalimin e plotë të pagesave  ndaj bujqve dhe kompanive që tashmë kanë kontrata, pezullimin e nënshkrimit të kontratave të reja  dhe shtyrjen e thirrjeve të ardhshme publike për financim nga programi evropian.

LJUPÇO NIKOLLOVSKI, NËNKRYETAR I LSDM-SË

“Ky është një kolaps i plotë i sistemit që për shtatë vjet u ndërtua me ndihmën e Bashkimit Evropian. Mijëra bujq dhe kompani që kanë bërë investime tani janë në pasiguri të plotë”.

Ai akuzoi pushtetin aktual dhe ministrin e Bujqësisë, Cvetan Tripunovski për siç thotë, heshtje dhe fshehje të vendimit  gjatë fundjavës, duke pyetur nëse kjo është bërë për të mbrojtur të përfshirët në skandal.

LJUPÇO NIKOLLOVSKI, NËNKRYETAR I LSDM-SË

 “Bujqësia nuk duhet të bëhet peng i interesave partiake dhe korrupsionit. Ky pezullim është turp për shtetin, por edhe një thirrje që të mbrojmë vlerat evropiane dhe ndershmërinë në institucione”.

Nikollovski rikujtoi se gjatë zbatimit të IPARD 2 nuk ka pasur asnjë problem dhe janë realizuar mbi 2,400 kontrata , ndërsa tani, sipas tij, programi ndalohet për herë të dytë nën qeverisjen e VMRO-DPMNE-s.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING