(VIDEO) Për një orë MASH përgjysmoi buxhetin për shkencë
Maqedonia e Veriut po i përkushtohet shkencës. Të paktën duke disa fishuar buxhetin për këtë fushë. Nga 380 milion në vitin 2024, në 1,37 miliard denarë për vitin 2026.
Por, pas një ore Ministria e përgjysmoi shumën duke thënë së në njoftimin paraprak kishin bërë gabim dhe se buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 773 milion denarë.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Ditën Botërore të Shkencës bëjnë me dije se këtë vit kalendarik, përmes tre thirrjeve për shpërndarjen e mjeteve, ka stimuluar realizimin e projekteve shkencore dhe kërkimore në universitetet publike, fakultetet dhe institucionet shkencore, në ASHAM dhe komunitetin e biznesit, të cilat janë në përputhje me qëllimet e Strategjisë për Specializim Intelegjent të Maqedonisë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Shkenca është shtylla e zhvillimit shoqëror, dhe për këtë arsye në vitin 2026 buxheti për shkencën do të arrijë 773 milione denarë, me të cilët do të vazhdojë financimi i projekteve kërkimore-shkencore, për zhvillimin e resurseve laboratorike, pjesëmarrjen në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe organizimin e atyre vendore”.
Ministria sqaron se këto mjete po ashtu janë paraparë për botimin e punimeve shkencore në revista me faktor impakti, ndarja e bursave për shkencëtarë të rinj, bursave për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve në vend, si dhe organizimi i qëndrimeve shkencore dhe studimore jashtë vendit.
Gjithashtu shtojnë se gëzon rritja e interesit te të rinjtë për të u marrë me shkencë dhe inovacione, e cila reflektohet në shfrytëzimin e masave që MASh-I i vë në dispozicion, kështu që, së bashku me institucionet e tjera kompetente qeveritare, zotohen se do të vazhdojnë t’i mbështesim ata në realizimin e ambicieve personale.
Emine Ismaili /SHENJA/

