(VIDEO) Transporti urban në kryeqytet, qytetarët vazhdojnë të presin nëpër stacione autobusësh

(VIDEO) Transporti urban në kryeqytet, qytetarët vazhdojnë të presin nëpër stacione autobusësh

“Nga sot do të vihen në funksion 55 autobusë privat”.

55 autobusë të rinj në qarkullim që nga sot, të premtuara nga kryetari i sapo zgjedhur i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjevski – a po funksionon më mirë transporti publik në Shkup?

Për një periudhë të gjatë kohore, qytetarët e Shkupit janë përballur me vonesa të shpeshta të autobusëve, pritje të gjata nëpër stacione dhe një transport publik jo gjithmonë efikas. Me ardhjen e kryetarit të ri të qytetit, u premtua një ndryshim i ndjeshëm – shtimi i 55 autobusëve të rinj në rrjetin e transportit publik, që sipas autoriteteve, do të ndihmojë në uljen e vonesave dhe përmirësimin e shërbimit.

Nga sot, këta autobusë kanë nisur qarkullimin nëpër rrugët e kryeqytetit, dhe ne dolëm në terren për të parë nga afër nëse qytetarët kanë vënë re ndonjë ndryshim pozitiv.

Shumë qytetarë thonë se ende është herët për të parë një ndryshim të madh, por shtimi i autobusëve të rinj është një hap drejt përmirësimit të situatës. Disa prej tyre theksojnë se oraret kanë filluar të respektohen më shumë, ndërsa të tjerë që dhe hezitonin të flisnin para kamerave, mendojnë se nevojiten ende masa shtesë për të shmangur vonesat, sidomos gjatë orëve më të frekuentuara të ditës.

Qytetari

“Për autobusët, nuk kam lëviz shumë të tregoj të drejtën nëpër qytet dhe sot për së pari herë kam dalë, përndryshe nuk mund të them as ashtu (po deri në këto momente a keni pa më tepër lëvizje të autobusëve), jo më tepër jo, njësoj një tempo. \ mendoj se do të bëhet më mirë do ti përmirësoje kryetari i ri, do të bëje ndryshime, besoj që do të bëhen ndryshime. \ për më mirë duhet të blejnë autobusë të ri dhe të bashkëpunojnë me këta autobusët privat që janë, ta regullojnë pak, frekuenca të jetë më e madhe e autobusëve.. ajo”.

Qytetari

“ sedi vetëm sot, sot mirë mendoj po, sot 10 minuta kam pritur nuk e di. mendoj që po”.

Qytetari

“valla qarkullimi a, valla kena ndales saher motër, tu prit nga gjysë ore, dy orë e gjysë, me prit ka 2 orë a?  (po sot a keni vë re ndryshime meqënëse ka edhe më tepër autobusa, ka lajmëru kryetari sapo zgjedhur ) valla autobusë ska hiq, vetëm jena duke prit si kali këtu, a izet mexhiti i ka fajet se nuk i paguan këto autobusët  me transport, vetëm ti paguajnë autobusat, ti lëshojnë ç’doherë të ecin”.

Megjithatë, kryetari Gjorgjievski, ka bërë të ditur se deri në Vitin e Ri  që nga ajo që është informuar edhe nga transportuesit privat do të shtohen edhe së paku 20 autobusë. Ndërsa po ashtu diku në muajin mars, në koordinim me Qeverinë, pritet të arrijnë edhe 80 autobusë të rinj, gjë që sipas tij kjo do të thotë se do të normalizohet plotësisht transporti qytetit.

Ndërkohë, qytetarët shpresojnë që ky premtim të mos mbetet vetëm në letër, por të ndihet realisht në përditshmërinë e tyre. Në ditët në vijim, do të shihet nëse 55 autobusët e rinj do të jenë zgjidhja që Shkupi ka pritur prej kohësh për një transport publik më efikas dhe më të organizuar.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING