Zvicra mbetet pa njërin prej lojtarëve kryesor për ndeshjen me Kosovën

Zvicra mbetet pa njërin prej lojtarëve kryesor për ndeshjen me Kosovën

Zvicra do të përballet me një mungesë të madhe në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Mesfushori me përvojë Remo Freuler, partneri i zakonshëm i Granit Xhakës, ka pësuar një thyerje të klavikulës dhe do të mungojë në përballjet me Suedinë dhe Kosovën.

Freuler u lëndua fundjavën e kaluar gjatë ndeshjes së Serie A me Bolognan dhe tashmë ka konfirmuar se do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike, që pritet ta mbajë jashtë fushave për disa javë.

33-vjeçari është një nga lojtarët më të qëndrueshëm të Zvicrës. Ai ka luajtur në të gjitha katër ndeshjet kualifikuese për Botërorin dhe është pjesë e pandashme e formacionit bazë që prej më shumë se shtatë vitesh.

Deri tani ka grumbulluar 84 paraqitje, duke shënuar 11 gola dhe dhënë 9 asistime me përfaqësuesen helvetike.

Televizioni publik zviceran SRF e cilësoi humbjen e tij si “një goditje të madhe” për trajnerin Murat Yakin: “Me mungesën e Freulerit, Zvicra humbet ‘Zotërinë e Besueshëm’ që çdo herë garanton stabilitet përkrah Granit Xhakës në qendër të mesfushës. Ai nuk ka munguar në një ndeshje zyrtare të Zvicrës që prej më shumë se katër vitesh”.

Situata e përkeqësohet edhe më shumë për helvetikët, pasi Denis Zakaria është gjithashtu i lënduar dhe nuk do të jetë në dispozicion. Kjo mund t’i hapë rrugë Ardon Jasharit, 23-vjeçarit shqiptar që sapo është rikthyer nga një dëmtim dyjavor dhe u përfshi në listën e Milanit për ndeshjen kundër Romës.

Zvicra, që udhëheq grupin me 10 pikë, përballet më 15 nëntor me Suedinë në Gjenevë dhe më 18 nëntor me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Një fitore ndaj Suedisë do t’i siguronte pothuajse matematikisht vendin në Kupën e Botës 2026, ndërsa ndeshja në Prishtinë mund të vendosë përfundimisht fatin e kreut të grupit.

 

MARKETING