Atletico Madrid përgatitet për një “pastrim” të madh në janar
Atletico Madrid pritet të përballet me një afat kalimtar dimëror plot tension dhe vendime strategjike, pasi ka marrë oferta serioze për tre prej lojtarëve të saj kryesorë: Alexander Sorloth, Nahuel Molina dhe Conor Gallagher.
Klubi bardhekuq, nën drejtimin e Diego Pablo Simeones, kërkon të ruajë ekuilibrin mes vazhdimësisë sportive dhe qëndrueshmërisë financiare, por është i vetëdijshëm se mund të detyrohet të shesë nëse mbërrijnë oferta të parefuzueshme.
Sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth është në qendër të vëmendjes. Me kontratë deri në vitin 2028, ai ka zgjuar interes të madh nga Fenerbahçe, që po përgatit një ofertë rreth 35 milionë euro, shumën që kërkon Atletico për kartonin e tij.
Për klubin madrilen, shitja e Sorloth do të siguronte një shumë të konsiderueshme dhe do të lironte hapësirë për përforcime të reja, megjithatë, gjetja e një zëvendësuesi të denjë në mes të sezonit mbetet një sfidë e vërtetë.
Një tjetër emër në listën e mundshme të largimeve është Nahuel Molina. Mbrojtësi i djathtë argjentinas ka luajtur vetëm 166 minuta këtë sezon dhe ka humbur terren përballë Marcos Llorentes.
Juventusi ka shfaqur interes konkret dhe është gati të ofrojë rreth 15 milionë euro për ta transferuar në janar.
Tek Atletico, kjo lëvizje shihet si një mënyrë për të balancuar skuadrën dhe pagat, megjithëse klubi ende shpreson të shohë versionin më të mirë të Molinës.
Ndërkohë, edhe mesfushori Conor Gallagher mund të largohet.
Burime nga Anglia raportojnë se Manchester United ka paraqitur një ofertë prej 60 milionë eurosh për 25-vjeçarin anglez, i cili ka qenë një element kyç në mesfushën e skuadrës së Simeones.
Largimet e mundshme të Sorloth, Molina apo Gallagher do të ndikojnë jo vetëm në formacionin bazë, por edhe në strategjinë ekonomike të klubit për pjesën e mbetur të sezonit.

