Arifi: Tre projektet kryesore – hapja e kufirit Bellanoc-Stançiq, ujësjellësi dhe infrastruktura në Likovë

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Likovës, Erkan Arifi, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Debat në SHENJA”, prezantoi tre projekte madhore që, sipas tij, janë realizuar gjatë mandatit të tij katërvjeçar si kryetar komune.
“Gjatë këtyre katër viteve kemi realizuar projekte të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të komunës sonë,” theksoi Arifi.
Projekti i parë i përmendur ishte ndërtimi i pikës kufitare Bellanoc – Stançiç, e cila shoqërohet me përfundimin e të gjitha detyrimeve regjionale infrastrukturore nga fshatrat Opajë, Sllupçan, Allashec deri në kufi.
Projekti i dytë, që Arifi e quajti prioritet, është ndërtimi i ujësjellësit për vendbanimet e komunës së Likovës. Sipas tij, janë ndërtuar një stacion filtrimi dhe një rezervuar me kapacitet prej 1,000 m³ mbi fshatin Likovë, si dhe një stacion pompimi që furnizon të gjithë rajonin.
Ndërkohë, për fshatrat në zonën fushore, Arifi deklaroi se është përfunduar infrastruktura e ujësjellësit në fazën primare dhe sekondare.
“Këto projekte janë dëshmi e përkushtimit tonë për zhvillimin e barabartë të të gjitha pjesëve të komunës së Likovës,” përfundoi Arifi. /SHENJA/