Bujar Osmani takohet me profesor Adnan Ismailin, në fokus kultura e librit dhe mbështetja për arsimin

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot një takim me profesor Adnan Ismailin, drejtues i shtëpisë botuese Logos-A, një prej institucioneve më të rëndësishme të botimeve në gjuhën shqipe në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani e cilësoi profesor Ismailin si një figurë kyçe në promovimin e kulturës së leximit dhe zhvillimin intelektual të brezave në Çair dhe më gjerë. Ai theksoi se për dekada, shtëpia botuese Logos-A ka sjellë librin më afër zemrës së qytetarëve dhe ka ndikuar në ndërtimin e një kulture të leximit të qëndrueshme.
Më poshtë e gjeni shkrimin e plotë të Osmanit:
📚 Sot pata kënaqësinë të takohem me profesorin Adnan Ismaili, drejtues i shtëpisë botuese Logos-A, një nga shtyllat më të mëdha të botimit në gjuhën shqipe, me seli në Çair.
Për dekada, ai ka sjellë librin më afër zemrës dhe raftit të çdo gjenerate duke e bërë kulturën e leximit pjesë të përditshmërisë sonë.
I shpreha falënderimin tim për gjithë kontributin e tij të pamatshëm për Çairin dhe për njerëzit këtu.
Në të njëjtën kohë, bashkë me Kemal Matoshin, Sekretar për Arsim në degen e BDI-së në Çair, biseduam për bashkëpunimin që do të hapet pas 19 tetorit, kur përgjegjësia e komunës do të jetë në duart tona: një nga prioritetet tona do të jetë mbushja e bibliotekave shkollore me libra të rinj e të larmishëm, sepse dhurata më e madhe që mund t’i japim fëmijëve dhe qytetarëve tanë është qasja tek librat që hapin mendjen dhe horizontet.
Nga ky takim mora edhe një dhuratë të veçantë – botimin e veprës së Sami Frashërit , një kujtesë se libri mbetet mjeti më i fuqishëm për emancipim dhe përparim.