DASH pushon nga puna më shumë se 1300 punonjës, Trump vazhdon të “shkurtojë” shërbimin civil

DASH pushon nga puna më shumë se 1300 punonjës, Trump vazhdon të “shkurtojë” shërbimin civil

Departamenti Amerikan i Shtetit filloi të premten shkarkimin e mbi 1300 punonjësve, si pjesë e fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump për të zvogëluar masivisht numrin e të punësuarve në administratën federale.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit bëri të ditur se 1107 nëpunës civilë dhe 246 punonjës të shërbimit diplomatik janë njoftuar se do të shkarkohen. Punonjësit raportohet se kanë marrë vendimet e pushimit nga puna përmes postës elektronike.

Sipas planit të administratës Trump, punonjësit e shërbimit diplomatik do të humbin vendin e punës 120 ditë pas marrjes së njoftimit dhe do të dërgohen menjëherë në pushim, ndërsa nëpunësit civilë do të shkarkohen pas 60 ditësh, shkruan reuters.

Shkarkimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme u shpallën tre ditë pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së hapi rrugën për administratën Trump që të nisë shkarkime masive të punonjësve federalë.

Departamenti i Shtetit kishte më shumë se 80 mijë të punësuar në mbarë botën vitin e kaluar, nga të cilët rreth 17700 në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka paralajmëruar një ristrukturim të madh të ministrisë së tij në fund të muajit prill, duke ndarë në rrjetin social X një artikull ku sugjerohet ulja e numrit të punonjësve me 15 për qind.

Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump e ka bërë prioritet kryesor uljen e numrit të punësimeve në administratën federale, duke synuar shkurtimet drastike të vendeve të punës dhe shpenzimeve përmes Ministrisë së re të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), e cila më parë ishte drejtuar nga Elon Musk. /Telegrafi/

 

MARKETING