Mësohet arsyeja e rrëzimit të aeroplanit indian ku kishin humbur jetën 260 persona

Mësohet arsyeja e rrëzimit të aeroplanit indian ku kishin humbur jetën 260 persona

Raporti paraprak për aksidentin ajror të Air India, ku muajin e kaluar humbën jetën 260 persona, ka treguar se tre sekonda pas ngritjes nga pista, çelësat për furnizimin me karburant të motorëve janë kaluar pothuajse në të njëjtën kohë nga pozicioni “i ndezur” në “i fikur”, duke ndërprerë furnizimin me karburant të motorëve.

Aeroplani Boeing 787 Dreamliner menjëherë filloi të humbiste lartësi, thuhet në raportin e publikuar nga hetuesit indianë të aksidenteve ajrore.

Në incizimet e kabinës së pilotëve dëgjohet njëri prej tyre duke pyetur tjetrin pse i ka fikur motorët, ndërsa tjetri përgjigjet se nuk e ka bërë një gjë të tillë, sipas raportit.

Nuk është sqaruar se cili prej pilotëve (komandanti apo bashkë-piloti) dha thirrjen për ndihmë pak para aksidentit.
Në vendin e aksidentit, të dy çelësat e karburantit u gjetën në pozicionin “i ndezur”, dhe raporti tregon se ka prova që është tentuar ndezja e motorëve pak para përplasjes, shkruan reuters.

Të dy pilotët kishin përvojë të madhe, me rreth 19 mijë orë fluturimi, përfshirë mbi 9000 orë në modelin 787.

Raporti preliminar nuk sqaron gjithashtu si është e mundur që çelësat të jenë kaluar në pozicionin “i fikur” gjatë fluturimit të 12 qershorit nga qyteti Ahmedabad në Indi për në Londër.

Eksperti amerikan i sigurisë ajrore, Anthony Brickhouse shtroi pyetjen kryesore “Pse janë kaluar çelësat në mënyrë që nuk përputhet me procedurat standarde? “A lëvizën vetë apo i lëvizi ndonjëri nga pilotët? Nëse i lëvizën ata, pse?”.

Ndërkohë, një tjetër ekspert amerikan, John Cox, deklaroi se pilotët nuk mund t’i prekin aksidentalisht çelësat e karburantit. “Nuk mund t’i prekësh rastësisht e të lëvizin,” tha ai.

Kalimi i çelësave në pozicionin “i fikur” ndalon menjëherë motorët. Kjo procedurë përdoret zakonisht për fikjen e motorëve pas arritjes në portat e aeroportit ose në raste urgjente, si për shembull në rast zjarri në motor. Raporti thekson se nuk ka pasur ndonjë ngjarje urgjente që të kërkonte fikjen e motorëve.

Në aeroplan ndodheshin 242 persona – 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit. Vetëm një person mbijetoi, pasagjeri 40-vjeçar Vishwash Kumar Ramesh.

MARKETING