Gostivarit i hiqen nëntë pikë, pronari Usta suspendohet dy vjet!

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka marrë masa të rrepta disiplinore ndaj KF Gostivarit, pas zhvillimeve në ndeshjen e javës së 29-të të kampionatit kundër Rabotniçkit.
KF Gostivari është ndëshkuar me:
-
Humbje e 9 pikëve nga sezoni aktual;
-
Gjobë prej 7.500 eurosh për organizim të dobët të ndeshjes dhe prezencë të personave të paautorizuar në fushë;
-
Ndalesë për të luajtur 10 ndeshje si vendas në stadiumin e tyre, ku këto ndeshje do të zhvillohen të paktën 100 kilometra larg nga fusha e deklaruar.
Masat nuk kanë përfunduar vetëm me klubin. Edhe drejtuesit dhe futbollistët janë goditur me ndëshkime të ashpra:
-
Presidenti Enes Usta dhe trajneri Blazho Panov janë pezulluar për 2 vite nga çdo aktivitet në futboll, për shkak të udhëzimit që i dhanë lojtarëve për të braktisur ndeshjen.
-
Futbollisti Alper Potuk është suspenduar për 2 vite, pasi ishte një nga nxitësit për ndërprerjen e ndeshjes.
-
Të gjithë lojtarët e KF Gostivarit të përfshirë në protokoll janë gjobitur me nga 500 euro secili.
Ndëshkime ka edhe për klubet tjera:
-
KF Struga është gjobitur me 5.000 euro për organizim të dobët të ndeshjes kundër Gostivarit.
-
Ndërkohë, ndaj Voska Sport është hapur procedurë disiplinore për mos paraqitje në ndeshjen kundër AP Brera.
Me vetëm katër javë të mbetura deri në përfundim të kampionatit, e ardhmja e KF Gostivarit në këtë sezon mbetet e pasigurt. Ende nuk dihet nëse klubi do të vazhdojë pjesëmarrjen pas këtyre ndëshkimeve, apo do të ndjekë shembullin e Voska Sport, që u tërhoq nga gara javën e kaluar.