Gara e parë e sezonit, të dielën MekLaren e nis si favorit në Melburn

Gara e parë e sezonit, të dielën MekLaren e nis si favorit në Melburn

Botërori 2025 i Formula 1 ka nisur numërimin mbrapsht, teksa sezoni do të hapet këtë fundjavë me Çmimin e Madh të Austrisë. Me shumë interes pritet nga të gjithë debutimi i Ferrarit, që këtë edicion vjen me dyshen Luis Hamilton dhe Sharl Lëklerk.

 

Eventi i fundit për skuderinë nga Maranelo para transferimit për në Melburn ishte spektakli i mrekullueshëm në “Piazza Castello” në Milano, ku më shumë se 20 mijë personat e pranishëm u dhanë pilotëve një adrenalinë që do t’i shoqërojë në fundjavën e parë të garave të vitit.

ULJE-NGRITJE – Në skenën milaneze, dyshja e artë e “kokëkuqes” premtoi një sezon që do t’i shohë në luftë për titullin, por gjithashtu është e vetëdijshme se kundërshtarët e tyre do të jenë më afër se kurrë. Pritet një betejë katërpalëshe mes skuadrave kryesore, veçanërisht pas të dhënave të para të zbuluara në testin treditor në Bahrein.

MekLaren do të mbërrijë në Melburn, duke e ditur se ata janë skuadra që duhet mposhtur, ndërsa Lando Norris, vetëm pak ditë para fillimit, nuk i fsheh ndjesitë e shkëlqyera për makinën që ka pasur gjatë testeve: “Ne kemi një nga makinat më të mira, për të mos thënë më të mirën në botë dhe Melburni është një pistë mjaft e përshtatshme për ne”.

Nëse piloti britanik e quan MekLarenin e tij si makinën që duhet mposhtur, parashikimet e kampionit në fuqi, Maks Vershtapen, për fillimin e vitit 2025 për Red Bull janë më pak entuziaste: “Unë nuk mendoj se mund të fitojmë në Melburn, por shpresoj për një përmirësim në afat të shkurtër”. Në betejën për podiumin po futet edhe Mercedesi, një situatë ku ka pak siguri për Ferrarin para Çmimit të Madh të Melburnit, gjë që e konfirmon edhe vetë drejtori, Frederik Vasër.

“Do të jetë një sezon me ulje-ngritje, sepse rrjeti është shumë kompakt”, u shpreh francezi. Drejtori i ekipit të Maranelos theksoi se në harkun e pesë garave pritet të ketë luhatje të mëdha në rezultatet e ekipeve, për shkak të kushteve krejtësisht të ndryshme të cirkuiteve. Ferrari rikthehet në Australi si fituese në fuqi e garës në këtë pistë, pas dopietës së vitit të kaluar me dyshen Sainz-Lëklerk.

MARKETING