(VIDEO) Një e treta e popullësisë në RMV janë mbipeshë

(VIDEO) Një e treta e popullësisë në RMV janë mbipeshë

30 deri në 35% e njerëzve në vend kanë problem me obezitetin, ndërsa në botë shifra është një miliard, ka deklaruar sot ministri I shëndetësisë Arben Taravari në ditën botërore të obezitetit. Ai tha se për 10 vite sipas projeksioneve, numri do të rritet në 50% dhe theksoi se nuk është problem vetëm për popullatën që ka kushte më të mira jetese, por edhe për vendet në zhvillim.

ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

Ne si ministri e shëndetësisë, së bashku me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, dëshirojmë të mburremi se këtë vit tashmë kemi terapi me insulinë dhe gjithçka që u nevojitet personave me diabet, tashmë është siguruar dhe jemi në proces të sigurimit të rreth 10-20 %më shumë. Trajtim do të ketë edhe për pacientët me diabet dhe obezitet, të cilët trajtohen me terapi specifike. Këtë vit, ky numër do të rritet me 200 pacientë të tjerë, që është një numër relativisht i madh”.

Drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski tha se këtë vit për herë të parë është miratuar buxheti për kryerjen e kirurgjisë bariatrike në Klinikën për kirurgji digjestive. Këto mjete, theksoi Klekovski, janë rreth 120 milionë denarë.

SASHO KLEKOVSKI, DREJTOR I FONDIT PËR SIGURIM SHËNDETËSOR

Ideja është që kur ka indikacione të forta mjekësore, jo estetike, kur pesha nuk mund të kontrollohet në asnjë mënyrë tjetër, t’i qasemi kësaj metode ndërhyrjeje. Këtu duhet të pranojmë se obeziteti nuk e shohim më si problem estetik, por si problem shëndetësor dhe si investim në shëndetin e individëve, sepse disa gjëra si diabeti nuk mund të zgjidhen pa rregullimin e peshës”

Kryetari i shoqatës së obezitetit doktor Irfan Ahmeti tha se duhet të kuptojmë se obeziteti është një sëmundje kronike që ka shumë komplikime dhe mund të çojë në shumë sëmundje të tjera kronike dhe jo të transmetueshme, siç janë sëmundjet e zemrës, diabeti, kanceri.

IRFAN AHMETI, KRYETAR I SHOQATËS SË OBEZITETIT

Rreth 215 milionë njerëz në botë kanë diabet për shkak të obezitetit, pastaj sëmundjet e zemrës, mbi 200 milionë njerëz kanë presion të lartë të gjakut për shkak të obezitetit, rreth pesë milionë njerëz vdesin për shkak të obezitetit, 100.000 njerëz vdesin çdo vit nga kanceri dhe shkaku është mbipesha. Prandaj, është e rëndësishme që obeziteti të njihet si sëmundje dhe të integrohet në sistemet shëndetësore si prioritet bazë për parandalim dhe trajtim”.

Sipas Ahmetit, ka një shqetësim të veçantë për obezitetin tek fëmijët. Ai thotë se po bëhen përpjekje të mëdha për hapjen e një qendre të menaxhimit të obezitetit në klinikën e fëmijëve. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në vend 30.4% e fëmijëve të moshës 6 deri në 9 vjeç janë mbipeshë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING