Anëtarë të Parlamentit Evropian nën hetim me dyshimin për korrupsion

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka nisur një hetim kundër rreth dhjetë anëtarëve dhe ish-deputetëve të Parlamentit Evropian mes akuzave për korrupsion, transmeton Anadolu.
Hetimi është fokusuar në parregullsi të mundshme lidhur me pagat dhe shtesat e paguara për asistentët e këtyre deputetëve.
Sipas një raporti të gazetës belge në gjuhën franceze ‘Le Soir’, hetimi përqendrohet në dyshimet se disa anëtare të Parlamentit Evropian kanë keqpërdorur fondet publike të destinuara për asistentët e tyre.
Hetimi i EPPO-së ka nxjerrë në pah një tendencë shqetësuese të rritjes së rasteve të korrupsionit brenda institucioneve të Bashkimit Evropian (BE), ku numri i hetimeve është dyfishuar në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë.
Kjo rritje e rasteve vjen pas një hetimi të mëparshëm ku EPPO-ja shqyrtoi parregullsi të mundshme në kontratat për blerjet e vaksinave COVID-19 nga Komisioni Evropian.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian prej kohësh është përballur me kritika për mos adresimin e duhur të rasteve të korrupsionit brenda institucioneve të BE-së, me disa që kanë vendosur në pikëpyetje transparencën dhe efikasitetin e proceseve të saj.
Rreth tre vite më parë, Parlamenti Evropian u trondit nga një skandal i madh korrupsioni, i cili tërhoqi vëmendje ndaj çështjes së ryshfetit brenda institucioneve të BE-së.
Në dhjetor të vitit 2022, autoritetet belge kryen kërkime të gjera në shumë vende dhe sekuestruan një shumë të konsiderueshme prej 1.5 milionë eurosh.
Figura kyçe të përfshira në skandal përfshinin eurodeputeten greke Eva Kaili, ish-deputetin italian Pier Antonio Panzeri, partnerin e Kailit, Francesco Giorgi, i cili punoi si asistent në Parlamentin Evropian, si dhe ekzekutivin e organizatave joqeveritare, Niccolo Figa-Talamanca.
Këta individë u akuzuan për marrje ryshfeti nga një vend i Gjirit për të ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të parlamentit.
Derisa emri i Katarit u përmend në lidhje me rastin, shteti i Gjirit i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Pas një periudhe paraburgimi, të gjithë të përfshirët në këtë çështje, përfshirë Kailin, u liruan me kusht më 14 prill të vitit 2023.
Megjithatë, hetimi i udhëhequr nga Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës ka tërhequr një kontroll gjithnjë e më të madh, me disa që pretendojnë se ka bërë pak përparim dhe ka hyrë në një bllokim.