(VIDEO) VLEN: Do të gjobiten tregtarët që manipulojnë me çmimet

Koalicioni VLEN nxit masa që synojnë mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe stabilizimin e inflacionit, kanë deklaruar sot nga VLEN. Nga atje thonë se në këtë drejtim, miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i cili obligon tregtarët të publikojnë çmimet e produkteve në faqet e tyre të internetit, është një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe konkurrencës më të ndershme në treg.
VLEN
“Kjo mundëson që çmimet e produkteve bazë nuk do të fryhen sipas nevojave përfituese të tregtarëve që synojnë të pasurohen në kurriz të popullit. Pra, nuk mundet më që brenda natës të ngriten çmimet e produkteve ushqimore. Sepse, kjo rëndonte xhepat e qytetarëve tanë me çka shpenzimet mujore veçse shkonin e rriteshin edhe më shumë”.
Nga atje thonë se sipas ndryshimeve të reja ligjore, të mesëm dhe të mëdhenj do të jenë të detyruar të publikojnë çmimet e produkteve të tyre onlajn, për t’u mundësuar qytetarëve një pasqyrë më të qartë dhe mundësi për të zgjedhur ofertat më të favorshme. Përjashtim nga ky obligim bëjnë mikro-tregtarët dhe dyqanet e vogla të lagjeve.
VLEN
“Inspektorati Shtetëror i Tregut ka nisur kontrollet në terren për të siguruar respektimin e këtyre masave. Deri në fund të javës, pritet të ushtrohet mbikëqyrje në mbi 1.000 objekte tregtare, pas së cilës do të publikohen të dhëna mbi përputhshmërinë e tregtarëve me vendimet e Qeverisë. Shkeljet e konstatuara do të ndëshkohen me gjoba nga 500 deri në 10.000 euro, ndërsa në rast të mosrespektimit të përsëritur, marketet mund të përballen edhe me mbyllje të përkohshme për 15 ditë”.
Kjo epokë mori fund, aq më shumë tani kur kemi hyrë edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit, ku besimtarët myslimanë dhe gjithë qytetarët tjerë kanë nevojë të mbushin sofrat plotë e të solidarizohen me njëri tjetrin.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/