Gashi takon eurodeputetët e KPP-së: Ekziston një mundësi për zgjerimin e BE-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me eurodeputetët që morën pjesë në Takimin e 23-të të Komitetit të Përbashkët Parlamentar Maqedonia e Veriut – Bashkimi Evropian, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Nga atje thonë se delegacioni, i udhëhequr nga eurodeputeti kroat Karlo Resler, bashkëkryesues i këtij komiteti të përbashkët, përbëhet nga 13 deputetë nga pothuajse të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, duke përfshirë edhe Tomas Vajcin, referues për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian. Në takim mori pjesë edhe Mihalis Rokas, ambasador dhe shef i Delegacionit të BE-së në vend.
“Bashkëbiseduesit e përshëndetën mbajtjen e takimit të parë të Komitetit të Përbashkët Parlamentar pas zgjedhjeve, si për Kuvendin, ashtu edhe për Parlamentin Evropian dhe shpresojnë se bashkëpunimi i përbashkët do të vazhdojë me të njëjtën dinamikë dhe intensitet edhe në periudhën e ardhshme.
Kryetari Gashi theksoi se integrimi në BE mbetet prioritet i lartë strategjik, si për Qeverinë, ashtu edhe për Kuvendin dhe shpreson se mbështetja e fuqishme që vjen nga shumica e madhe në Parlamentin Evropian për aspiratat tona për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.