(VIDEO) Kosova të dielën voton, në garë 28 subjekte me 1.280 kandidatë

(VIDEO) Kosova të dielën voton, në garë 28 subjekte me 1.280 kandidatë

Kosova më 9 shkurt 2025 do të mbajë zgjedhjet para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë dhe të nëntat me radhë pas luftës. Në këto zgjedhje, garojnë 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë. Përkatësisht, 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur, derisa në mesin e këtyre subjekteve ka parti shqiptare, të komunitetit serb, komunitetit turk dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

Partia më e madhe në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, garon me sloganin “Cep më cep”, ndërsa kryeministri aktual Albin Kurti, në këto zgjedhje garon për një mandat të dytë. Ndër premtimet kryesore të kësaj partie është 1 miliard euro për rritjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë, heqja e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian, transport publik i integruar me biletë 10 euro në muaj në gjithë Kosovën, 500 milionë euro për Brezovicën për destinacion evropian të turizmit, 100 euro shtesë mbi pensionin bazik për gjyshërit që kujdesen për mbesa e nipa kur prindërit e tyre punojnë, e të tjera.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamzën, garojnë me sloganin “Kosova mundet ma mirë”. Ndër premtimet kryesore të tij janë rritja e pagave për 50 për qind në sektorin publik, rritja e pensioneve për 70 për qind si dhe subvencionimi i familjeve që i dërgojnë fëmijët në çerdhe me nga 100 euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), garon me kandidatin Lumir Abdixhiku, me sloganin “Bëhu Ndryshimi”. Abdixhiku në fushatë elektorale ka premtuar investime prej 5 miliardë eurosh, një buxhet prej 5 miliardë eurosh dhe një rritje ekonomike prej 5 për qind gjatë mandatit të tij.

Numri i përgjithshëm i votuesve në këto zgjedhje sipas KQZ-së është 2.075.868, prej të cilëve 104.924 janë regjistruar për votim jashtë vendit. Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852 votues.

Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë të zgjedhur me votë. 20 prej tyre janë vende të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera.

Teuta Buçi /SHENJA/

 

MARKETING