(VIDEO) Caktohen 30 ditë paraburgim për 20-vjeçarin

(VIDEO) Caktohen 30 ditë paraburgim për 20-vjeçarin

Me propozim të Prokurorisë Publike të Shkupit, Gjykata Themelore Penale Shkup i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shoferin i cili goditi për vdekje 22-vjeçaren Frosina Kulakova. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski ka njoftuar se, autori është arrestuar, janë bërë analizat dhe janë siguruar të gjitha dëshmitë relevante. Megjithatë, ai ka thënë se, asnjë zgjidhje teknike nuk do të jetë e mjaftueshme nëse sistemi gjyqësor nuk garanton sanksionin adekuat, posaçërisht për ata të cilët kanë treguar më shumë se njëherë se janë rrezik për të tjerët.

Pançe Toshkovski, Minsitër i brendshëm

“Mllefi është i kuptueshëm, mosbesimi në institucione është i arsyeshëm, por kjo nuk duhet të përfundojë vetëm me shkrimin e statuseve të zemëruara në rrjetet sociale dhe me protesta që do të zgjasin disa ditë. Ndryshimet duhet të jenë reale. Të gjithë në sistem duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre”.

Nga ana tjetër, Gjykata Penale është sqaruar në lidhje me procedurat e mëparshme gjyqësore ndaj 20-vjeçarit. Nga ky institucion thanë se, gjykimin e ka udhëhequr gjykatësja, Daniela Aleksovska-Stojanovska dhe pasi bëhej fjalë për person që ende nuk i kishte mbushur 20 vjet në momentin e gjykimit, Gjykata për këto krime i caktoi masën edukative, duke u bazuar në Ligjin për të Drejtat e Fëmijëve, i cili i trajton personat e moshës 18 deri në 21 vjeç si të rritur. Për Gjykatën Penale, është e paqartë lidhshmëria që është krijuar në opinion për veprën penale për të cilën 20 vjeçarit i është caktuar masa edukative me aksidentin që ndodhi dy ditë më parë.

Gjykata Penale

“A ka mundur dikush në sistemin e drejtësisë të supozojë se i pandehuri, 7 muaj pas vendimit që kërkonte institucionalizimin, mund të kryente një krim tjetër, dhe për këtë arsye duhej të mbahej në paraburgim? Ligjet në vendin tonë si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nuk e lejojnë këtë. A ka faj gjyqësori për problemin sistemik me pikat e zeza të trafikut, ku shpesh ndodhin aksidente trafiku, duke pasur parasysh se çdo qytetar që nuk ka qenë më parë në konflikt me ligjin mund të shkaktojë një aksident trafiku me viktimë për shkak të shpejtësisë, drejtimit të automjetit nën ndikim të alkoolit dhe mosposedimit të patentë shoferi. Bëhet fjalë për problem social”.

Nga gjykata kanë theksuar se, personi në fjalë  është dënuar me vendim të shkallës së parë më 31 korrik të vitit të kaluar për dy vepra penale – prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve Ata shtojnë se deri në këtë pikë nga Gjykata nuk është proceduar asnjë kallëzim tjetër penal apo kundërvajtës në fushën e trafikut.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING