ASH e Selës kërkon që Gashi ta shfuqizojë konkluzionin pas interpelancës për Ilire Dautin
Krahu i Ziadin Selës i Aleancës për Shqiptarët sot pasdite përmes një kumtese theksoi se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi duhet ta shfuqizojë konkluzionin pas interpelancës për deputeten dhe kryetaren e Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti.
“Afrim Gashi dhe ata që kanë hyrë në këtë lojë, e dijnë kushtin tonë që e kumtoi edhe vetë deputetja Ilire Dauti. Ata fillimisht duhet të shfuqizojnë konkluzionin e padrejtë dhe me po ato vota të rizgjedhin zonjën Dauti kryetare, që ajo e lirë, pa cenzurë e pa diktat të mundet të veprojë ashtu siç e meriton çdo njeri të ketë të garantuar kushtet gjatë kryerjes së punës së vetë”, bëhet e ditur në kumtesën e ASH-së.
Theksojnë se Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Europian i qëndrojnë pas deklaratës së zonjës Dauti.
“Vlerësojmë se ajo e ka kryer punën me përgjegjësi dhe në përputhje me Rregulloren andaj dhe kërkojmë që të shfuqizohet konkluzioni i inicuar nga E Majta dhe i propozuar nga Gashi”, thonë nga ASH.