(VIDEO) Protesta e institucioneve publike nxit reagime nga pushteti dhe opozita
Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva ka deklaruar se qeveria është e gatshme të pranojë të gjitha propozimet dhe sugjerimet e institucioneve të cilët sot kanë protestuar, por tha se i ka befasuar fakti që sindikata ka ndërmarrë grevën si hap të parë, në vend të dialogut, që siç thotë ajo është mënyra e parë demoktratike e funksionimit. Miteva ngriti dyshime se kjo është grevë e motivuar politikisht.
MARIJA MITEVA, ZËDHËNËSE E QEVERISË
“Dua ti kujtoj opinionit se vetëm për gjashtë muaj arritëm marrëveshje për rritjen e pagave të punëtorëve në shëndetësi dhe arsim si dhe janë rritur edhe pensionet. Po ashtu theksojmë se Qeveria ka dhënë shtesë pagash dhe K-15 për të gjithë punëtorët dhe po e përsëris, jemi të gatshëm të diskutojmë për çdo temë. Çdo grevë duhet të organizohet në përputhje me ligjin e punës dhe marrëveshjet kolektive dhe të shpallet në përputhje me ligjin. Duhet të zbatohet procedura e barazimit të detyrueshëm dhe të përcaktohen detyrat e nevojshme që duhet të kryhen”.
Ndërkaq nga LSDM kanë përkrahur protesten e të punësuarve në ministri dhe thonë se qeveria ka obligim që të sigurojë kushte për nënshkrimin e kontratave kolektive dhe rritje të pagave.
LSDM
“Pagat kanë ngecur, fuqia blerëse e punëtorëve po zvogëlohet dhe politikat e qeverisë së Mickoskit janë zvogëluar në shërbim të interesave të ngushta të biznesit të elitës. Në shtatë muajt e fundit paga minimale ka mbetur e pandryshuar, ndërsa paga mesatare ka ngecur. Sistemi i rritjes së pagave, i krijuar nga LSDM, ishte braktisur plotësisht nga qeveria aktuale, duke rezultuar në përkeqësim të standardit jetësor të punëtorëve”.
Nga LSDM kërkuan që Qeveria urgjentisht të ndërmarrë hapa për rritjen e pagave dhe sigurimin e barazisë së plotë të punëtorëve në sektorin publik.
Medina Ajeti /SHENJA/