(VIDEO) Qeveria do ta përpunojë ligjin për mbrojtjen e fëmijëve dhe do ta dorëzojë në Kuvend
Ligji për mbrojtjen e fëmijëve që u refuzua të nënshkruhej nga presidentja do të përpunohet dhe dorëzohet në Kuvend para deputetëve, kanë thënë nga Qeveria e RMV-së. Mosnënshtrimi i këtij ligji nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova për siç tha të disa dispozitave kontraverze e që në fakt ishte për licencat në dy gjuhë, shkaktuan reagime në opinion edhe sot.
Sipas BDI-së, ky veprim i presidentes është një agresion ndaj vlerave kolektive të shqiptarëve dhe përpjekje për të shtypur gjuhën shqipe dhe është sulm ndaj vlerave të një shteti të përbashkët.
BDI
“Jemi thellësisht të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga urrejtja e vazhdueshme, nga mungesa e vullnetit për bashkëjetesë, nga përpjekjet e pandalshme për të shtypur gjuhën shqipe dhe për të zhvlerësuar shqiptarët në këtë shtet tonin të përbashkët. Ata që mendojnë se do të rriten duke rrënuar fqinjët e tyre, bashkëqytetarët e tyre, janë në një iluzion të madh – askush nuk është bërë më i madh duke nënçmuar tjetrin, përkundrazi”.
Edhe Aleanca e Ziadin Selës përmes një reagimi tha se ky veprim është kryekëput i Qeverisë, por vetëm se realizohet përmes presidentes, ashtu si edhe vendimet e tjera që janë realizuar herë përmes Gjykatës Kushtetuese e herë përmes institucioneve të tjera.
E veprimit të së parës së shtetit ju gëzuan partitë maqedonase. Ata u deklaruan se e respektojnë mos nënshkrimin e dekretit nga ana e presidentes, e disa madje kërkuan që ky ligj të tërhiqet plotësisht.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova më 31 dhjetor 2024 e njoftoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi sipas saj, amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse. Kjo i referohet amendamenteve për licencat në dy gjuhë. “Dëshiroj t’ju rikujtoj se mënyra e përdorimit të gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik, dhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimi i saj tashmë janë të rregulluara me ligj”, u tha në sqarimin e Siljanovskës.
Emine Ismaili /SHENJA/