(VIDEO) Mickoski: Inspektorati i monitoron çmimet për çdo ditë!

(VIDEO) Mickoski: Inspektorati i monitoron çmimet për çdo ditë!

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se çmimet e produkteve bazë po monitorohen në baza ditore përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe paralajmëroi reagim të ashpër nëse konstatojnë se ka sërish dukuri të padëshiruara. I pyetur lidhur me çmimet ai tha se pret që tregtarët të vazhdojnë me uljen e çmimeve të produkteve, të cilat më herët i rritën në kurriz të produkteve më të lira të përfshira në aksionin “Shporta e Vitit të Ri”, pas së cilës Qeveria paralajmëroi se do të ngrijnë çmimet.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Është dashur të ndërhyjmë dhe të tregojmë se sa seriozë jemi në synimet tona. Tregtarë të caktuar nuk mund të bëjnë fitime shtesë në kurrizin e qytetarëve. I ulën çmimet para Vitit të Ri, diku 10, diku 15 %, diku edhe më shumë.  Pres që tani ky trend I uljes të vazhdojë edhe në ditët në vijim”.

Ai theksoi se kushdo që mendon se qeveria nuk po i ndjek të gjitha këto, e ka gabim.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Nëse shikojmë fitimet e bëra nga zinxhirët tregtarë, do të arrijmë në përfundimin se ndër kompanitë relativisht më të suksesshme 10, 15, 20, shohim zinxhirë të tillë tregtarë ndërsa korniza e biznesit nuk ka ndryshuar, konsumi nuk është rritur në mënyrë dramatike e as nuk ka mënyra inovative, përkundrazi, bëhet fjalë për rritjen e çmimeve dhe kjo nuk është e mirë”.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi në konferencë për mediat për fundvit, bëri të ditur se ka një vendim të gatshëm për ngrirjen e çmimeve dhe nëse Inspektorati Shtetëror i Tregut gjatë kontrolleve konstaton keqpërdorim të çmimeve të produkteve bazë, vendimi i qeverisë do të merret menjëherë për vendosjen e një mase të tillë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING