(VIDEO) Ali Ahmeti takon opozitarët në Kosovë, Kurti nuk pranoi të takohet
Komuna e Prishtinës sot i ka ndarë kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit, çmimin “Çelsi i Qytetit”, nga ku Ahmeti e konsideron si një nder të madh për të. Duke qendruar në Kosovë, ai ka zhvilluar takim me partitë opozitare PDK-në LDK-në dhe AAK, mirëpo jo edhe me kryeministrin Albin Kurti. Ahmeti nga Prishtina tha se para disa muajsh kishte bërë kërkesë për takim me Kurtin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-së
“Jo, nuk do të kem takim me z.Kurtin. Sigurisht që kam kërkuar para ca muajsh. Në mungesë të vullnetit ose mungesë të mosqenit të tij në Kosovë kur unë kam kërkuar takim… dhe kështu nuk është përsërit kjo kërkesë”.
Ndërkaq, në lidhje me takimet që ka pasur me partitë opozitare në Kosovë, Ahmeti tha se me ata kanë folur për zhvillimet në rajon dhe në Kosovë, proceset euro-atlantike që është me rëndësi, si dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. “Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm në Kosovë forcat progresive të jenë ata që ndërtojnë politika e shtetit”, deklaroi kreu i Integristëve. /SHENJA/