(VIDEO) Mucunski: Fërçkovski ka shkaktuar dëm gjashtëshifror në euro
Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, ka thënë sot se në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është zbatuar procedurë e brendshme, me çla kanë marrë informata shqetësuese. Ai tha se, ka indicie se, ish ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Lubomir Fërçkovski, ka shkaktuar dëm në vlerë gjashtë shifrore në euro. Ai paralajmëroi se, si ministri do t’i marrin të gjitha masat e nevojshme dhe se do t’i informojnë institucionet relevante në gjyqësor.
Timço Mucunski, ministër i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashme
“Për ish ambasadorin Lubomir Fërçkoski kemi indicia serioze për keqpërdorim të fondeve buxhetore publike. Indiciet tregojnë se dëmi është me gjashtë shifra në euro. Nuk mund të them konkretisht sa është aktualisht, po jap disa informacione që kam leje t’i ndaj në këtë fazë, pasi procedura është ende në vazhdim. Do ta kemi për obligim t’i informojmë të gjitha institucionet relevante të gjyqësorit, por çfarë do të ndërmarrin ata nuk është në kompetencën tonë dhe kalon në kompetencën e tyre”.
Mucunski theksoi se disa diplomatë rregullisht tërhiqen, pasi u skadon mandati, por ka dhe raste të tjera, si ato me Fërçkoskin, Andrej Zhernovskin dhe Vesel Memedin.
Timço Mucunski, ministër i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashme
“Ka situata të ndryshme, njëra është ajo me ish-ambasadorin Fërçkoski, të cilin e thirra për konsultime, por ai nuk erdhi dhe dha dorëheqjen. Ai, me dëshirën e tij, nuk është më ambasador në Kombet e Bashkuara. Kemi një situatë specifike edhe me ambasadorët Zhernovski dhe Memedi, siç i quaj, e cila është ende në procedurë, në komunikim mes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeverisë dhe presidentes, dhe ka edhe situata të tërheqjeve të rregullta të ambasadorëve për shkak të përfundimit të mandatit të tyre“.
Fërçkoski u emëruar i vendit në OKB në vitin 2022. Në korrik të këtij viti, Fërçkoski u thirr në konsultim në MPJ për shkak të keqpërdorimeve financiare – evazionit të mjeteve, shpenzimi i mjeteve në kundërshtim me rregulloren e punës së misioneve diplomatike-konsullore, dhe duke mos vepruar sipas udhëzimeve të marra nga Ministria e Punëve të Jashtme. Fërçkovski nuk shkoi në konsultime dhe një muaj më vonë, njoftoi se jep dorëheqje nga posti.
Teuta Buçi /SHENJA/