Mbahet sot Procesi i Berlinit, zbardhet agjenda e plotë
Mbahet ditën e sotme Procesi i Berlinit. Sipas axhendës zyrtare, parashikohet që të nisë në orën 09:30 të mëngjesit të sotëm që përkon me mbërritjen e delegacioneve në Kancelarinë Federale të Berlinit.
Procesi do të jetë i ndarë në 2 sesione, konkretisht në bashkëpunimin dhe tregun e përbashkët rajonal si dhe në axhendën e gjelbër, lidhshmërinë dhe energjinë mes shteteve. Në orën 14:00 pritet që të mbahet një konferencë për shtyp që i pason diskutimeve me përfaqësues të Forumit Rinor dhe të Shoqërisë Civile.
Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014 për të promovuar bashkëpunimin si mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe mes këtyre vendeve dhe atyre të BE-së. Zbatimi i marrëveshjeve ka qenë i ngadalshëm, madje në disa raste ato nuk janë zbatuar. Ka pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave.
Në Samitin e 14 Tetorit në Berlin pritet të lancohet Tregu i Përbashkët Rajonal 2. Në vitin 2023 u shënua hyrja në fuqi e tarifave të reduktuara për “roaming”. Si shembull të mirë, përmendet zbatimi i projektit të iniciuar në samitin e Parisit, më 2016, për bashkëpunimin e rinisë – RYCO.
AGJENDA E PLOTË
09.30-10.00 – Mbërritja e delegacioneve, përshëndetje nga Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë
10.00 -10.15 – Hapja zyrtare nga Kancelari Scholz
10.15 -11.15 – Sesioni 1: Bashkëpunimi rajonal dhe tregu i përbashkët rajonal
11.15- 11.30 – Foto familjare
11.30 – 12.20 – Sesioni 2: Axhenda e Gjelbër, Lidhshmëria, Energjia
12.20 -12.35 – Ceremonia e nënshkrimit
12.35 -13.00 – Diskutim me përfaqësues të Forumit Rinor dhe Forumit të Shoqërisë Civile
14.00- 14.30 – Konferencë për shtyp