(VIDEO) Mexhiti: “Balancuesin” e bëjmë Ligj, mbetet të gjejmë “Mënyrë për evidentim eventual të përkatësisë etnike”
“Balancuesi” është jashtë funksionit. Kemi marrëveshje politike që kjo të rregullohet me Ligjin për përfaqësim të drejtë, por edhe për kualitet. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti. Sipas tij, vitet e para Balancuesi ka dhënë kontribut duke përmirësuar gjendjen e përkatësisë etnike në administratën shtetërore, por vitet e fundit, shton ai, kishte kundërefekt, sepse njerëzit, etninë e tyre e kanë treguar rrejshëm vetëm për ta zënë vendin e punës.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Nëse duhet të punësohet maqedonas, do të punësohet, por ai që ka më shumë kualitet. Nëse duhet të punësohet shqiptarë-po, por ai me më shumë kualitet, më i shkolluari, më i përgatituri dhe nesër, pasnesër t’ju shërbej qytetarëve dhe nevojave të tyre. Kemi marrëveshje me Qeverinë dhe mendoj se ajo është më e mira për shtetin. Vetëm duhet të gjejmë mënyrë për evidentim eventual të përkatësisë etnike në administratë pa cenuar privatësinë e informacioneve”.
Ndërsa dha kritika edhe për gjykatësit kushtetues të cilët sipas Mexhitit, këto çështje si balancesi, Ligji i Gjuhëve me dekada i tangojnë qytetarët dhe nuk mund të jetë rastësi që në mënyrë simtomatike tani u hapën lëndë që me vite kanë qëndruar në sirtar.
Kurse sa i përket Ligjit të Branitellave, theksoi se është në të mirë të shtetit të mos sillet ky ligj. Ndërsa, partisë që e ka propozuar këtë ligj LSDM-së, i thotë se këtë e kanë bërë për politika ditore dhe në funksion të destabilizimit të proceseve dhe shtetit, pra siç shtoi janë sinkronizuar me BDI-në.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Ne kemi qëndrim përfundimtar se nuk është mirë për proceset dhe për shtetin dhe nuk është prioritet të sillet ky ligj. Ai tani ka mbetur në komisionin i cili udhëhiqet nga Ilire Dauti dhe presim që aty të qëndroj”.
Mexhiti në intervistën për Radion Evropa e Lirë po ashtu njoftoi se në seancën e ardhshme të Qeverisë hiqen kazinot online dhe po ashtu pikë tjetër e seancës do të jetë lufta kundër kazinove që punojnë në të zezë.
Emine Ismaili /SHENJA/