SHBA-ja vendos sanksione ndaj 17 anijeve të lidhura me “flotën në hije” të Iranit
Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi të enjten sanksione ndaj 17 anijeve të lidhura me “flotën në hije” të Iranit, duke rritur presionin mbi eksportet e naftës së Teheranit, transmeton Anadolu.
Departamenti tha se anijet kanë transportuar miliona fuçi naftë bruto iraniane, naftë dhe produkte petrokimike në tregjet e Azisë Jugore dhe Lindore.
Sanksionet gjithashtu shënjestruan kompanitë e përfshira në rrjetin e transportit detar.
“Asnjë mundësues i shmangies së sanksioneve iraniane nuk është i sigurt nga forca e plotë e autoriteteve të Thesarit”, tha Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Midis anijeve të shënjestruara është edhe Tina 5 me flamur të Vanuatu-s, për të cilën Thesari tha se ka transportuar më shumë se 1,5 milion fuçi naftë bruto iraniane në gusht.
Sogl me flamur të Komoreve transportoi mbi 2 milion fuçi propan dhe butan iranian që nga shtatori 2025, ndërsa Shenzen me flamur të Kamerunit transportoi më shumë se 3,5 milion fuçi naftë bruto që nga nëntori 2025, sipas departamentit.
Aksioni është pjesë e Operacionit “I Përjashtuari Ekonomik”, i nisur më 24 gusht për të kufizuar aksesin e Iranit në rrjetet financiare dhe tregtare ndërkombëtare.
Fushata zgjeroi ekspozimin ndaj sanksioneve në disa sektorë, duke përfshirë transportin detar, aviacionin, teknologjinë, arin dhe asetet dixhitale. Thesari paralajmëroi se subjektet që lehtësojnë shmangien e sanksioneve për Iranin rrezikojnë përjashtimin nga sistemi financiar i SHBA-së.
Në anën tjetër, departamenti hoqi Hakuna Matata dhe Pinochio nga lista e tij e sanksioneve pasi anijet u larguan nga flota në hije dhe iu shitën operatorëve që nuk i nënshtrohen sanksioneve.

