Meksika do të hetojë pamjet filmike që tregojnë anëtarë të dyshuar të karteleve të vendosur në Ukrainë

Meksika do të hetojë pamjet filmike që tregojnë anëtarë të dyshuar të karteleve të vendosur në Ukrainë

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum ka njoftuar se qeveria e saj po nis një hetim lidhur me një video që po qarkullon në rrjetet sociale, ku shfaqen dy burra të armatosur, të cilët pretendojnë se janë anëtarë të karteleve kriminale të vendosur në Ukrainë, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Gjatë një konference për media, Sheinbaum tha se administrata e saj po shqyrton autenticitetin e videos dhe do të hetojë nëse anëtarë të karteleve kriminale po rekrutohen nga kompani private mercenare ose nga qeveri të huaja për të luftuar në luftën Rusi-Ukrainë.

“Po e shqyrtojmë rastin, së pari për të përcaktuar nëse videoja është autentike dhe së dyti për të parë se si këta individë përfunduan në atë vend”, tha ajo.

Videoja e shkurtër, e cila u shfaq në rrjetet sociale këtë javë, tregon dy burra të armatosur, të veshur me pajisje ushtarake, të cilët identifikohen si anëtarë të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jaliscos (CJNG) dhe të fraksionit “La Chapiza” të Kartelit të Sinaloas.

Në pamjet që zgjasin më pak se 30 sekonda, burrat dëgjohen duke brohoritur emrat e “La Chapiza” dhe CJNG-së, si dhe shprehjen “Slava Ukraini” (Lavdi Ukrainës). Sipas Sheinbaum, videoja u prezantua gjatë një mbledhjeje të Kabinetit të Sigurisë së Meksikës, organ federal i përbërë nga përfaqësues të ushtrisë, marinës dhe agjencive të sigurisë së vendit.

Ajo tha se nëse videoja rezulton autentike, “autoritetet do të përpiqen të përcaktojnë se si meksikanët, në këtë rast individë që mund t’i përkasin një grupi kriminal, u përfshinë në një konflikt të armatosur që po zhvillohet në Evropë”.

Kjo shënon herën e parë që qeveria meksikane trajton publikisht thashethemet për shtetas meksikanë, të lidhur me krimin e organizuar, të cilët po luftojnë si mercenarë në Ukrainë. Megjithatë, që nga fillimi i luftës në Evropë në vitin 2022, agjencitë meksikane të inteligjencës kanë shprehur shqetësim për mercenarët që kanë lidhje me kartelet e drogës.

Sipas një raporti të vitit 2025 nga media franceze Intelligence Online, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) nisi një hetim me kërkesë të Meksikës ndaj individëve të dyshuar se ishin bashkuar si vullnetarë me Legjionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ukrainës, me qëllim për të fituar përvojë të avancuar në luftën me dronë, e cila lidhet me kartelet meksikane të drogës.

MARKETING