(VIDEO) Mickoski komenton incidentin në gallatë: Të shmangen konfliktet etnike dhe fetare!
Qytetarët nuk duhet të kenë dilema se këto elita të korruptuara politike nga e kaluara do të tentojnë që përmes qendrave të tyre të ndikimit, në çdo institucion të krijojnë konflikte etnike dhe tensione. Kështu u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski, për incidentin e djeshëm në fshatin Gallatë. Ai tha se vazhdimisht po paralajmëron që të mos luhet me kartën etnike dhe fetare sepse kjo është mënyra që sipas tij kriminelët e kanë shfrytëzuar për përfituar në kurriz të qytetarëve vitet e kaluara. Megjithatë shton se situata është nën kontrollë, mirëpo thekson se incidente të këtilla do të vazhdoj të ketë edhe në periudhën në vazhdim.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Ajo që është interesante është se në rrjetet sociale janë shfaqur fotografi të disa personave në shoqërinë e personave aktivë politik. Nëse merret parasysh prapavija politike dhe përkrahja e kryetarit të komunës së Vrapçishtit, si dhe strukturës policore që është në Policinë e Gostivarit, atëherë shumë lehtë mund të vini në përfundimin se kjo është pjesë e folklorit që po përgatitet për të mbjellë intolerancë etnike, fetare dhe tentativë për destabilizimin”.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gostivarit, Valbon Limani nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, thotë se Pavllovski është njëri nga qindra qytetarët me të cilët ka fotografi dhe e njëjta është e para 5 vjetësh.
Valbon Limani, U.D i komunës së Gostivarit
“Ai është njëri prej qindra qytetarëve me të cilët un kam foto. Me sa duket kjo foto është prej para 5 viteve dhe shumica e qytetarëve me të cilët unë kam foto në momente të caktuara mund të keqpërdoren si në këtë rast. Unë mendoj se qëllimi është të defokusohen qytetarët prej problemeve reale, të cilat janë krijuar gjatë këtyreve 20 viteve”.
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, ka dalë me akuza të reja për rastin e kishës së Gallatës. Ata thonë se organizatori i protestës së djeshme, është shok i afërt me Arben Taravarin dhe Valbon Limanin.
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës
“Ajo që duhet t’i sqarohet opinionit është cila ka qenë lidhja dhe roli në këtë skenar i Arben Taravarit dhe pasardhësit të tij në krye të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani. Me këtë të fundit, Pavllovski ka publikuar fotorafi ku tregon afërsinë e ngushtë që kanë dhe mund të shihet qartë se bëhet fjalë për raporte të fuqishme mes dy personave në fjalë. Ndërkohë për qytetarët e Gostivarit është fakt i njohur edhe lidhja e ngushtë e Taravarit me Pavllovskin shumë kohë më pare”.
Këtë rast e ka komentuar edhe deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, i cili thotë se se vendi nuk ka nevoj për incidente të këtilla.
Oliver Spasovski, LSDM
“Maqedonia nuk ka nevojë për incidente në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike, nuk duhet të luajmë me të drejtën fetare. Çdo gjë që duhet zgjidhur, duhet të zgjidhet mes institucioneve të sistemit, qoftë Kisha Ortodokse, BFI, Kisha Katolike, vetëqeverisja lokale, pushteti. Zgjidhja duhet të arrihet me dialog. Sepse në fund qytetarët duhet të bartin pasojat”.
Përndryshe, një ditë më parë qarkulloi një video nga vendi i kishës në fshatin Gallatë, në të cilën shiheshin shihet ekskavator dhe punonjës të policisë rreth kishës. Ai i cili e incizoi videon, deklaroi se ai dhe të tjerët janë ndërprerë në pastrimin dhe renovimin e kishës dhe se policët kanë marrë urdhër nga prokurori për arrestim. Disa orë pas publikimit të videos, Prokuroria Publike raportoi se “prokurori publik nuk ka dhënë urdhër për arrestimin ose mbajtjen e asnjë personi” në këtë rast. Më pas rreth 10 persona kishin shkuar të takohen me kryetarin e komunës së Vrapçishtit, për të kërkuar sqarim për ndërprerjen e punimeve. Kryetari i kishte pranuar por me kusht që të mos incizohet me telefona privat, gjë ishte refuzuar nga grupi i qytetarëve dhe më pas kryetari nga zyrtarët policorë kishte kërkuar që ata persona të largoheshin nga objekti i komunës. Për shkak se dy persona nuk i ishin bindur urdhërit të policisë, ishin arrestuar dhe pas marrjes në pyetje nga prokurori publik, ishin lënë të lirë.
Emine Ismaili /SHENJA/