Tensionet me kishën në Gallatë, Mickoski:Këto janë pjesë e planit për të mbjellë urrejtje etnike
Kryeministri, Hristijan Mickoski, sot ka komentuar situatën në komunën e Vrapçishtit, ku dje u arrestuan dy persona, të cilët supozohet se po pastronin hapësirën përreth kishës në fshatin Gallatë.
Kryeministri thotë se këto incidente janë të izoluara dhe se në të ardhmen do të ketë shumë të këtilla.
“Këto janë incidente të izoluara, dhe do të ketë më shumë të tilla. E dëgjuat deklaratën e Episkopit, i cili distancohet nga këto incidente, dhe banorët e fshatit Gallatë gjithashtu distancohen. Ajo që është interesante është se në rrjetet sociale janë publikuar fotografi të disa individëve që janë në shoqërinë e figurave politikisht aktive. Duke marrë parasysh mbështetjen politike në Vrapçisht dhe strukturën policore në SPB Gostivar, kjo është pjesë e atij folklori për të mbjellë urrejtje etnike, do të ketë incidente të këtij lloji, sepse ne si qeveri, duke marrë parasysh ndryshimet e fundit në Ligjin për policinë, nuk mund të ndodhin ndryshimet në strukturat drejtuese.
Do të duhet që në 2-3 muajt e ardhshëm të ndodhin ndryshime në atë ligj dhe të ketë ndryshime në ato struktura drejtuese, në mënyrë që të mund të kemi situatën realisht nën kontroll. Mos kini dyshim se struktura kriminale në të kaluarën do të bëjnë incidente të tilla në të ardhmen e afërt. Vetë banorët e Galatës e refuzuan këtë, dhe vetë Episkopi e refuzoi këtë.
Apeloj që tani, kur shteti është në një fazë të ngritjes, qytetarët të mos bien në këto provokime,” tha Mickoski.