(VIDEO) VMRO bën thirrje për fundin e kërkesave etnike dhe bashkimin nën “Diellin Maqedonas”
VMRO-ja sot ka përmbledhur platformën prej 10 pikave, të cilën e shpalosi dje kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit për nder të 33-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
KËTO JANË PARIMET E UNIFIKIMIT TË SHPALOSUR NGA VMRO-JA
1. Sundim i së drejtës – sigurim i drejtësisë dhe shtetit të së drejtës
2. Departizim – t’i jepet fundi partizimit në të gjitha institucionet
3. Stabilitet – parandalim i kërkesave megalomane etike si mënyrë e fshehjes së interesave fitimprurëse partiake dhe lukrative
4. Standard më të mirë jetësor – mbrojtje dhe avancim i standardit të qytetarëve
5. Drejtësi sociale – krijim i një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse
6. Arsim – rritje e cilësisë së arsimit për të gjithë
7. Integrime evropiane – përmbushje e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian
8. Bashkim nacional – përforcim i bashkimit nacional dhe shtetëror
9. Parandalim i migrimit – luftë kundër emigrimit të të rinjve dhe personave të kualifikuar
10. Patriotizëm i përbashkët – ndërtim i një patriotizmi i cili i unifikon të gjithë qytetarët
Nga pikat e lartpërmendura, problematike duken sidomos pikat 3 dhe 10. Mickoski në pikën 3 kërkon, siç thotë, dhënien fund të kërkesave megalomane etnike, ndërsa këtë e arsyeton me parandalimin e përfitimit të individëve në kurriz të parimeve etnike.
Sinkron: Hristijan Mickoski, kryeministër (me titra)
“Ne duhet të distancohemi nga konfliktet etnike dhe të izolojmë elementët që krijojnë përçarje ndëretnike. Ne duhet të vendosim një moratorium për temat e prodhuara etnikisht të nxitura nga interesat fitimprurëse të individëve. Duhet t’i jepet fund listës të gjatë të dëshirave për të drejtat etnike, pas së cilës realisht nuk qëndron asgjë, por interesi personal i atyre që i prodhojnë, në kurriz të kolektivit”.
Në praktikë, qeveria ka nisur ta realizojë këtë sidomos në rastin ndryshimeve që iu bënë mekanizmit të Balancerit, e cila uli numrin e punësimit të shqiptarëve në administratën publike. Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, deklaroi dje se balancuesi mbetet në fuqi, mirëpo paralajmëroi se kjo nuk do të thotë se heqja e tij nuk do të diskutohet.
Ai përsëriti frazën e njohur të eksponentëve të VMRO-së, se ky mekanizëm po keqpërdoret, duke preferuar heqjen e tërësishme në vend të luftimit të rasteve të keqpërdorimeve.
Ndërsa po punojnë për eliminimin e mekanizamve të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe të komuniteteve tjera joshumicë, që e ka burimin tek Marrëveshja e Ohrit, krerët e VMRO-së i kanë bërë thirrje LSDM-së dhe partive tjera që të ndërtojnë “patriotizmin e përbashkët maqedonas”.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Ne duhet të dallojmë dhe të besojmë në betejat ideologjike. E jona, e imja, është patriotizmi i përbashkët, që duhet të na bashkojë. Nuk është gjë tjetër veçse një besim i përbashkët dhe një luftë e përbashkët për të ardhmen e vendit. Ai duhet të na bashkojë të gjithëve, maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, serbë, boshnjakë dhe gjithë të tjerët nën diellin maqedonas”
Mickoski përmend këtu “diellin maqedonas”, por mbetet të shihet në praktikë nëse ky diell do të ngrohë, ose në të kundërtën, do të djegë të drejtat e shqiptarëve dhe të komuniteteve tjera në vend. /SHENJA/