Mickoski takohet me Grenellin, bisedojnë edhe për një “projekt të pavarësimit energjetik”

Mickoski takohet me Grenellin, bisedojnë edhe për një “projekt të pavarësimit energjetik”

Kryeministri Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Timço Muçunski, pati takim me ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Richard Grenell. Nga qeveria informuan se në takim është biseduar për zhvillimet aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku u theksua rëndësia e ruajtjes së paqes, sigurisë, stabilitetit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve në këtë pjesë të Evropës.  “Theks i veçantë u vu në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në mundësitë për forcimin e tyre të mëtejshëm. Gjatë takimit u analizuan mundësitë për shfrytëzimin e potencialit për investime të përbashkëta në të ardhmen në projekte të rëndësishme për rajonin. Në këtë kontekst u shqyrtua mundësia e pjesëmarrjes së mundshme amerikane në projektin energjetik ‘Çebren’, i cili ka një rëndësi strategjike për pavarësinë energjetike të vendit”, thuhet në komunikatën e qeverisë, ku shtohet se kryeministri, Hristijan Mickoski, i ka shprehur mirënjohje të veçantë Grenellit për përkushtimin e tij në ndërtimin e marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy vendeve.

Kjo është hera e dytë që Mickoski takohet me Grenellin që kur është bërë kryeministër i RMV-së. Aktualisht Grenell nuk ka angazhim politik përveçse është i njohur se lobon në favor të Serbisë. /SHENJA/

May be an image of 1 person and the Oval Office

MARKETING